Mazhoranca votoi reformën Territoriale, Lush Susaj: Akt i pashembullt! Do sjellë vetëm shpopullim dhe varfëri!

Profesori Lush Susaj ka reaguar në ditën e 132-të të protestës kundër qeverisë, duke kundërshtuar reformën e re territoriale, e cila parashikon shkrirjen e 15 bashkive.
Reforma u miratua nga socialistët mes tensionesh në Kuvend, ndërsa opozita refuzoi të merrte pjesë në votim.
Susaj e cilësoi vendimin një goditje ndaj së ardhmes së vendit, duke argumentuar ndryshimet e miratuara do të sjellin pasoja negative për vendin.
“Ajo që kanë votuar mbrëmë do të sjellë vetëm shpopullim të mëtejshëm dhe varfëri. Dhe kjo nuk i shërben Shqipërisë. Unë prandaj reagoj, e kundërshtoj, sepse duhet të reagojmë dhe nuk mund t’i themi të zezës të bardhë”, deklaroi ai.
Lush Susaj: Ne nuk i numërojmë njerëzit si dele. Thirrja është bërë. Kush të jetë shqiptar, burrë, të dalë në sheshet e lirisë dhe të ndryshojmë situatën shoqërore dhe politike të çdo familjeje shqiptare.
Kam një fjalë për atë marrëzi që ndodhi mbrëmë. Kanë bërë një akt të pashembullt, një goditje ndaj të ardhmes së kombit shqiptar, sepse problemet e bashkive, problemet e pushtetit lokal, hallet e njerëzve dhe dëshirat e njerëzve nuk janë çështje të partive, por janë çështje të vatrës shqiptare.
Në këtë rast, dua ta dinë se ajo që kanë votuar mbrëmë do të sjellë vetëm shpopullim të mëtejshëm dhe varfëri. Dhe kjo nuk i shërben Shqipërisë. Unë prandaj reagoj, e kundërshtoj, sepse duhet të reagojmë dhe nuk mund t’i themi të zezës të bardhë.
Dhe së fundi, në rast se mendojnë se jemi dobësuar dhe mërzitur, unë këtu jam, në këtë shesh.


