Makina i theu shtyllën kurrizore kampionit të njohur të garave me motor, nuk e njeh dorëzimin

Sport

Makina i theu shtyllën kurrizore kampionit të njohur të garave me
Një aksident i tmerrshëm me motor i ndryshoi jetën brenda pak sekondash, por nuk arriti t’i shuante pasionin dhe dëshirën për të jetuar. Mirald Gjyrici, 28-vjeçari me origjinë nga Tropoja, është motoristi që sot rrëfen historinë e tij të jashtëzakonshme në “ABC e Mëngjesit”.

Ngjarja ndodhi dy vite më parë në Shkodër, teksa ai po udhëtonte me motor me një shpejtësi prej vetëm 20 kilometrash në orë. Një makinë që po futej në parkim nuk e pa dhe e përplasi, duke i shtypur shtyllën kurrizore.

Miraldi ishte plotësisht i vetëdijshëm dhe, edhe në ato momente të tmerrshme, mendonte për vëllain e tij, i cili kishte kaluar aty pak sekonda më parë me motor. Pasioni për motorët e shoqëronte që në moshën 14-vjeçare, ndërsa garat dhe adrenalina ishin pjesë e jetës së tij.

Por pas aksidentit nisi një betejë e gjatë me shëndetin, operacionet dhe sfidat e përditshme. Ndërhyrja e parë në Spitalin e Traumës nuk pati rezultatin e dëshiruar, ndërsa më pas ai udhëtoi drejt Turqisë për një tjetër operacion.

Një ndërhyrje që u bë e mundur falë mbështetjes së miqve të tij nga Federata e Garave me Motor. Por vetëm dy ditë më vonë, një mpiksje gjaku në kolonë e çoi sërish në kufijtë e mbijetesës.
Pas një tjetër operacioni, Miraldi ia doli të mbijetonte dhe, pas disa muajsh, u rikthye në Shqipëri.

Kur dukej se më e keqja kishte kaluar, një tjetër ngjarje e pazakontë e priste. Teksa po pinte kafe me shokët, vidat që mbanin shtyllën kurrizore dolën nga vendi. Pa e kuptuar plotësisht rrezikun, ai arriti t’i vendoste sërish me dorë, përpara se të nisej drejt Italisë për ndërhyrjen e radhës.

Sot, Miraldi nuk e sheh veten si një njeri të dorëzuar, por si dikë që ka ende shumë për të bërë. Ai kujdeset vetë për veten, lahet, gatuan dhe përpiqet të jetë sa më i pavarur. Madje, ka edhe makinën e tij, të cilën e drejton me anë të një shkopi të posaçëm.

Nëna është pranë tij, por Miraldi këmbëngul se dëshiron ta jetojë jetën me sa më shumë autonomi. “Shoh ëndrra duke vrapuar”, thotë ai, duke treguar se shpresa nuk është larguar kurrë.
Një histori që dëshmon se ndonjëherë, kur trupi përballet me kufijtë e tij, vullneti bëhet forca më e madhe për të ecur përpara.

ME TE LEXUARAT

NA SHKRUAJ

Portali Lajmifundit sjell Lajme nga Shqipëria, rajoni dhe bota në kohë rekord. Ju lutemi na kontaktoni nëse doni të kontribuoni me informacione të vlefshme për publikim në portalin tonë.

Kliko për më shumë informacion