Arrestohet vëllai i ish-kryeministrit hungarez, akuzohet për trafikim të qenieve njerëzore

Aron Orbán, vëllai i ish-kryeministrit hungarez Viktor Orbán, është përfshirë në një hetim të autoriteteve të Hungarisë lidhur me dyshime për trafikim të qenieve njerëzore. Sipas raportimeve të mediave vendase, ai është ndaluar gjatë një operacioni policor në të cilin janë shoqëruar edhe persona të tjerë.
Lajmi është komentuar publikisht nga kryeministri Péter Magyar, i cili, përmes një postimi në rrjetet sociale, iu referua informacioneve të publikuara në media për ndalimin e vëllait të ish-kreut të qeverisë.
Magyar bëri të ditur se çështja po ndiqet nga strukturat e specializuara të hetimit, përfshirë Byronë Kombëtare të Hetimit dhe Zyrën Kombëtare për Rikuperimin dhe Mbrojtjen e Pasurive.
Sipas informacioneve të deritanishme, ndërhyrjet policore janë përqendruar në kryeqytetin Budapest dhe në disa lokalitete të qarkut Pest. Gjatë operacionit janë kryer kontrolle në banesa dhe janë ndaluar disa persona, ndërsa autoritetet po verifikojnë rolin e tyre të mundshëm në aktivitetet e dyshuara kriminale.
Dyshimet e mëparshme për skemat e vizave Shengen
Emri i Áron Orbánit ishte përmendur edhe më herët në raportime që lidhen me procedura të dyshimta për pajisjen e shtetasve të huaj me viza për të hyrë në zonën Shengen.
Në qendër të këtyre dyshimeve ishte një kompani e lidhur me të, e cila dyshohet se kishte ndërmjetësuar regjistrimin e shtetasve vietnamezë në një program trajnimi dyditor për ndihmën e parë në Universitetin e Pécsit.
Sipas raportimeve, kjo procedurë mund të jetë përdorur për të krijuar dokumentacion që do të lehtësonte aplikimin për viza, duke ngritur pikëpyetje mbi qëllimin real të udhëtimeve dhe mënyrën e organizimit të tyre.
Megjithatë, mbetet për t’u sqaruar nëse hetimi aktual ka lidhje të drejtpërdrejtë me këto dyshime të mëparshme.
Autoritetet hungareze pritet të publikojnë informacione të tjera mbi rezultatet e operacionit, statusin procedural të personave të ndaluar dhe veprat penale që po hetohen.


