Debati për ujin e pijshëm në Vlorë, Drejtori i Ujësjellësit hedh poshtë dyshimet: Analizat tona tregojnë se...

Pas shqetësimit të shprehur nga prindërit për cilësinë e ujit të pijshëm, ka reaguar kreu i Ujësjellës Kanalizimeve Vlorë. Në një mesazh në rrjete sociale, ai garanton se uji që furnizohet përmes rrjetit zyrtar është i pastër dhe i sigurt. Duke iu referuar analizave fiziko-kimike në 22 pikat monitoruese të qytetit, kreu i Ujësjellësit siguron se nuk është konstatuar asnjë ndotje, ndërsa thekson se po punohet pa ndërprerje për investimin e rrjetit të ri që do t’i japë zgjidhje përfundimtare problematikave të trashëguara.
“Në këtë moment të ndjeshëm, kur shqetësimi i prindërve është mëse i kuptueshëm dhe mbi të gjitha bëhet fjalë për shëndetin e fëmijëve, dua të flas me përgjegjësi dhe transparencë.
Edhe fëmijët e mi rriten në këtë qytet. Ata jetojnë këtu, konsumojnë ujin e këtij qyteti dhe kjo është arsyeja pse çdo shqetësim i qytetarëve më prek mua personalisht.
Dua të jem i qartë: Uji që furnizohet përmes sistemit të administruar nga Ujësjellës Kanalizime Rajoni Vlorë është i pastër dhe i sigurt për konsum, bazuar në kontrollet dhe përgjegjësinë tonë për depot, linjat e transmetimit dhe rrjetin që ne administrojmë.
Sigurisht, mund të ketë raste të izoluara, si pasojë e ndërhyrjeve në rrjet nga subjekte të ndryshme që operojnë në qytet. Por për çdo rast të sinjalizuar, reagojmë menjëherë dhe marrim masat përkatëse për zgjidhjen e tij në kohë rekord.
Paralelisht, po punojmë pa ndërprerje, 24 orë në 7 ditë të javës, për investimin madhor të rrjetit të ri të ujësjellësit, një ndërhyrje që synon t’u japë zgjidhje problematikave të ndjeshme të trashëguara ndër vite.
Në momente të tilla, qetësia, përgjegjësia dhe verifikimi i fakteve janë thelbësore. E vërteta duhet të dalë përmes analizave dhe verifikimeve institucionale, jo përmes hamendësimeve.
Nuk ndalemi. Do të vazhdojmë të punojmë me përgjegjësi, sepse pas çdo pune që bëj/bëjmë janë familjet e këtij qyteti, familja ime, fëmijët e mi dhe fëmijët e çdo qytetari që meriton të jetojë i sigurt.
*POST SCRIPTUM
Bazuar në analizat fiziko-kimike të mostrave të ujit të marra në të 22 pikat monitoruese të qytetit, rezultatet nuk kanë evidentuar ndotje fiziko-kimike, përfshirë praninë e amoniakut dhe nitriteve.
Për sa i përket parametrave mikrobiologjikë, komunikimi im (ynë) dhe transparenca ndaj qytetarëve është e domosdoshme, ndaj po bëj publike rezultatet fiziko-kimike të disponueshme deri në këto momente.” shkruan ai.


