Lirohen të burgosurit politikë, por Irani refuzon t'u kthejë sendet e konfiskuara

Bota

untitled-15.webp
Kur aktivistja Sanaz Yekta u kthye në shtëpi pasi u lirua në shkurt nga burgu famëkeq i Iranit, Evin, shumë prej sendeve të saj mungonin.

Policia kishte bastisur banesën e saj në kryeqytetin Teheran, pasi ajo ishte arrestuar dhe akuzuar në vitin 2025 për fyerjen e liderit suprem. Sipas saj, policia i kishte marrë, ndër të tjera, stolitë e saj prej ari dhe argjendi, si dhe orën inteligjente.

Pavarësisht se 46-vjeçarja u lirua, autoritetet po i mbajnë sendet e saj dhe po e sfidojnë gjykatën e cila urdhëroi që t’i ktheheshin ato.

“Vërtet nuk e di se si duhet t’i kthej sendet e mia”, tha Yekta në një intervistë për Radion Farda të Radios Evropa e Lirë.

“Unë vërtet kam nevojë për këto sende”, tha gruaja nga Teherani.

Yekta nuk është e vetme.

Aktivistët thonë se autoritetet zakonisht refuzojnë t’ua kthejnë sendet njerëzve të konsideruar të burgosur politikë, duke argumentuar se kjo praktikë synon t’i ndëshkojë ish-të burgosurit edhe pasi të jenë liruar.

Për ish-të burgosurit politikë, humbja e sendeve të tyre mund të jetë goditje e rëndë, veçanërisht pasi shumë prej tyre nuk lejohen të punojnë në institucionet shtetërore. Lufta gati shtatëmujore me Shtetet e Bashkuara e ka thelluar krizën ekonomike të Iranit, duke i lënë edhe më të cenueshëm ata që tashmë përballen me vështirësi financiare.

“Pse u duhet institucioneve të sigurisë ari i një të burgosuri politik?” pyeti Yekta, e cila është pjesëtare e komunitetit hebre të Iranit. “Kur të burgosurit politikë lirohen, ata kanë nevoja financiare dhe e kanë të vështirë të gjejnë punë”.

Yekta ka hyrë dhe ka dalë nga burgu disa herë vitet e fundit.

Në vitin 2024, ajo u mbajt në paraburgim për gjashtë muaj, nën akuzat se kishte valëvitur një flamur izraelit në publik dhe kishte shprehur mbështetje për Izraelin, armikun kryesor të Republikës Islamike. Më pas, në fund të vitit të kaluar, ajo u dënua për fyerjen e liderit suprem. Yekta u dënua me pesë vjet burgim, por u lirua para kohe

“Plaçkitje”

Edhe ish-të burgosur të tjerë politikë kanë bërë pretendime të ngjashme.

Mohammad Habibi, mësues dhe aktivist sindikal, tha se policia ia konfiskoi dy telefonat celularë, një laptop dhe libra kur e arrestoi në vitin 2022. Sipas tij, sendet ende nuk i janë kthyer më.

“Ata e quajnë konfiskim; në realitet, është plaçkitje”, shkroi Habibi në një postim në X.

Mehdi Mahmoudian, një aktivist i njohur për të drejtat e njeriut dhe ish-i burgosur politik, tha se autoritetet kanë refuzuar t’ia kthejnë sendet personale, përfshirë telefonat celularë, më shumë se tetë muaj pasi u ndalua dhe më pas u lirua.

Kjo, sipas tij, ka ndodhur pavarësisht urdhrave të përsëritur të gjykatës për t’ia kthyer sendet.

“Duket se në Republikën Islamike, një urdhër gjykate nuk është asgjë më shumë se një letër. Prandaj, me sa duket, pronësia e njerëzve respektohet vetëm për aq kohë sa një institucion i sigurisë nuk ka vënë syrin te sendet e tyre”, shkroi Mahmoudian në X më 16 shtator.

“Kur një institucion i sigurisë konfiskon pronën e njerëzve dhe shpërfill urdhrin gjyqësor për ta kthyer atë, konfiskimi është thjesht një emër i sjellshëm për përvetësimin e pasurisë së njerëzve”, shtoi ai.

Konfiskime “arbitrare”

Sipas Kodit Penal të Iranit, sendet e konfiskuara duhet të kthehen kur nuk janë më të nevojshme për një hetim penal, përveç rasteve kur pronësia e tyre është e kontestuar ose kur ato i nënshtrohen konfiskimit apo shkatërrimit të ligjshëm.

Por Mousa Barzin, avokat iranian dhe ekspert ligjor me bazë në Turqi, i tha Radio Fardas se kjo nuk ndodh gjithmonë.

“Së pari, vetë konfiskimi mund të kryhet në mënyrë arbitrare, pa një urdhër gjykate. Agjentët e sigurisë mund të hyjnë në shtëpinë e dikujt dhe t’i marrin sendet pa bërë madje një listë të sendeve ose pa pasur autorizim ligjor për t’i konfiskuar ato”, tha ai.

“Së dyti, gjatë hetimit dhe procedurave gjyqësore, shpesh nuk merret parasysh fakti se këto sende duhet t’i kthehen personit pasi hetimi të ketë përfunduar”, shtoi ai./REL

ME TE LEXUARAT