Lëvizja studentore nuk ndalet/ Paralajmërohet protesta e radhës pas deklaratës së sotme

Studentët kanë njoftuar zhvillimin e protestës së radhës kombëtare ditën e shtunë, më 7 nëntor, në orën 14:00, përballë Ministrisë së Arsimit.
Në një deklaratë për mediat, organizatorët bëjnë të ditur se pas më shumë se 150 ditësh protestë të pandërprerë, kanë vendosur të hyjnë në një fazë të re organizimi, duke zhvilluar protestat kombëtare dy herë në javë, çdo të mërkurë dhe të shtunë, në orën 14:00.
Studentët deklarojnë se kërkesa e tyre për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama vijon të mos marrë përgjigje, ndërsa akuzojnë pushtetin për injorimin e revoltës qytetare.
Sipas tyre, ndryshimi i organizimit synon të rrisë intensitetin e protestave dhe t'u japë studentëve dhe mbështetësve mundësinë të angazhohen në mënyrë më të qëndrueshme.
Gjithashtu, organizatorët shprehen se do të vijojnë të mbështesin edhe protestat e tjera qytetare kundër qeverisë, pavarësisht datës kur ato do të organizohen.
"Lufta e shqiptarëve për demokraci vazhdon. Autokracia do të bjerë, ashtu siç ra edhe diktatura", thuhet në deklaratën e studentëve
Deklarata:
"Pas më shumë se 150 ditësh protestë të pandërprerë, pushteti në Shqipëri vazhdon të injorojë kërkesën e revoltës qytetare: dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.
Autokracia ka lëshuar rrënjë të thella në Shqipëri dhe ne jemi të përgatitur për një betejë të gjatë. Prandaj, po hyjmë në një fazë të re organizimi.
Për t’i dhënë rrjetit studentor dhe mbështetësve tanë mundësinë të japin maksimumin në çdo ditë proteste, studentët kanë vendosur se protestat tona kombëtare do të vijojnë dy herë në javë, çdo të mërkurë dhe të shtunë në orën 14.00, me një intensitet që nuk mund të injorohet.
Ne vijojmë të mbështesim protestat e tjera qytetare kundër qeverisë, kurdo që të organizohen ato.
Lufta e shqiptarëve për demokraci vazhdon. Autokracia do të bjerë, ashtu siç ra edhe diktatura."
Gjithë të mirat,
Studentët n'protestë


