Vrasja mister në Bulqizë/ Dyshohet se ekzekutoi të atin, ky është Gazmir Fiku

Ky që shihni në foto është Gazmir Fiku, i dyshuari për vrasjen e ndodhur në fshatin Godvi të Bulqizës.
Gazmir Fiku, djali i viktimës, dhe Sadete Fiku, bashkëshortja e tij, dyshohet se qëlluan me armë zjarri dhe mjete të forta prerëse Urim Fikun.
Dy autorët e dyshuar fillimisht e paraqitën ngjarjen si sulm nga një ari, por, sipas njoftimit zyrtar të Drejtorisë Vendore të Policisë Dibër, pas një hetimi intensiv dhe ekzaminimeve mjekoligjore, u zbulua se 62-vjeçari nuk kishte humbur jetën nga sulmi i një kafshe të egër, por ishte vrarë me armë zjarri.
Gjatë kontrolleve, policia ka sekuestruar një pistoletë model 54, me fishekë, si dhe një gëzhojë pistolete, e cila u gjet në oborrin e banesës. Këto materiale janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale.
Ndaj dy të ndaluarve rëndojnë akuzat për veprat penale “Vrasja për shkak të marrëdhënieve familjare” dhe “Mbajtja pa leje e armëve dhe municioneve”, kryer në bashkëpunim. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Dibrës për veprime të mëtejshme.
NJOFTIMI I POLICISË:
Më datë 04.11.2026, nga Sektori për Hetimin e Krimeve të Rënda në DVP Dibër, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër, pas një hetimi intensiv, u bë i mundur dokumentimi i ngjarjes së ndodhur më datë 03.11.2026, në fshatin Godvi, Bulqizë.
Fillimisht, familjarët e shtetasit U. F. raportuan se ai kishte humbur jetën si pasojë e sulmit nga një kafshë e egër (ari), por nga hetimet e kryera dhe ekzaminimet mjekoligjore rezultoi se ky shtetas ishte vrarë me armë zjarri.
Në vijim të veprimeve hetimore, u bë ndalimi i shtetasve:
S. F., 57 vjeçe;
G. F., 33 vjeç;
të dy banues në fshatin Godvi (përkatësisht bashkëshortja dhe djali i shtetasit U. F.).
Ndalimi i tyre u bë pasi dyshohet se, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë vrarë me armë zjarri dhe mjete të forta prerëse shtetasin U. F.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan një armë zjarri pistoletë, model 54, me fishekë, si dhe një gëzhojë pistolete, e gjetur në oborrin e banesës.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë Dibër për veprat penale “Vrasja për shkak të marrëdhënieve familjare” dhe “Mbajtja pa leje e armëve dhe municioneve”, kryer në bashkëpunim.

