Alarmi pranë Rinasit? Ministria e Mbrojtjes sqaron çfarë pritet të ndodhë sot

Një stërvitje e rëndësishme kërkim-shpëtimi do të zhvillohet sot, më 4 nëntor, në afërsi të Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës “Nënë Tereza”.
Sipas njoftimit të Ministrisë së Mbrojtjes, stërvitja “SAR-2026” do të zhvillohet nga ora 10:30 deri në orën 12:00 dhe organizohet nga Qendra Kombëtare e Kërkim-Shpëtimit, në bashkëpunim me institucionet përgjegjëse për reagimin ndaj emergjencave ajrore.
Në këtë operacion të simuluar do të angazhohen Forcat e Armatosura, Policia e Shtetit, Aeroporti i Tiranës (TIA), ALBCONTROL, Qendra Kombëtare e Urgjencës Mjekësore, Shërbimi i Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit, Kryqi i Kuq Shqiptar dhe institucione të tjera përgjegjëse për sigurinë e aviacionit civil.
Skenari i stërvitjes parashikon daljen e një avioni nga pista dhe përplasjen e tij jashtë rrethimit të aeroportit. Përmes këtij simulimi do të testohet reagimi i strukturave përkatëse, koordinimi ndërinstitucional, si dhe procedurat për evakuimin dhe shpëtimin e pasagjerëve dhe anëtarëve të ekuipazhit.
Gjatë zhvillimit të aktivitetit, qytetarët që ndodhen në zonën pranë aeroportit mund të vërejnë lëvizje të shtuar të ambulancave, zjarrfikësve dhe automjeteve të tjera të emergjencës.
Ministria e Mbrojtjes ka sqaruar se bëhet fjalë për një stërvitje të planifikuar dhe se nuk ka asnjë situatë emergjente reale.
Stërvitja “SAR-2026” synon rritjen e gatishmërisë operacionale dhe forcimin e kapaciteteve kombëtare për përballimin e aksidenteve dhe situatave të emergjencës në aviacionin civil.


