Kundër Reformës territoriale? Braçe: Jemi zgjedhur për të udhëhequr, por duhen pyetur njerëzit

Deputeti socialist, Erion Braçe, i njohur për qëndrimet e tij rebele brenda grupit parlamentar të PS-së, ka tërhequr sërish vëmendjen e opinionit publik, pas deklaratave të tij ndaj propozimit të mazhorancës për reformën administrative-territoriale.
I ftuar në studion e “Takohemi n’Vizion” të moderatores Fjodora Fjora, Braçe tha se, pavarësisht se mazhoranca është zgjedhur për të udhëhequr, sërish duhen pyetur njerëzit, pasi vetëm në këtë mënyrë mund të arrihet në mirëqeverisje.
“Këto ditë po diskutojmë reformën administrative-territoriale.
Parlamenti ka një ngarkesë shumë të madhe. Ka opinione që e mbrojnë, ashtu siç ka edhe njerëz që protestojnë kundër saj.
Është e ngarkuar si situatë, sepse duhet të gjesh pozicionin e duhur për të përfaqësuar interesin e njerëzve. Udhëheqje pa njerëzit dhe pa ide të qarta nuk mund të ketë, duhet gjetur ekuilibri i duhur.
Mirëqeverisja reflekton te qytetarët, që janë shumë afër me këtë pushtet sesa me pushtetin qendror”, tha Braçe.


