Doni të ndiheni më të lumtur çdo ditë? 7 zakone të thjeshta që mund t’i praktikoni në vetëm 5-10 minuta

Soft

Doni të ndiheni më të lumtur çdo ditë? 7 zakone

Jeta e përditshme, me angazhimet dhe stresin e saj, shpesh na lë pak kohë për të shijuar momentet e vogla që na sjellin gëzim. Por për të përmirësuar mirëqenien emocionale nuk është gjithmonë e nevojshme të bëni ndryshime të mëdha.

Sipas një studimi të Projektit “Big Joy”, ku morën pjesë më shumë se 17 mijë njerëz nga 169 vende, praktika të shkurtra të përditshme, që zgjasin vetëm 5 deri në 10 minuta, mund të lidhen me rritje të emocioneve pozitive dhe përmirësim të mirëqenies.

Pjesëmarrësve iu kërkua të praktikonin çdo ditë një aktivitet të vogël që synonte nxitjen e gëzimit. Ata raportuan më shumë emocione pozitive, më pak ankth dhe përmirësim të gjumit, ndërsa shfaqën edhe më shumë gatishmëri për të ndihmuar të tjerët.

Studiuesit e përshkruajnë gëzimin si një aftësi që mund të kultivohet përmes zakoneve të vogla. Ja shtatë prej tyre:

1 Kërkoni momente që ju mahnitin

Natyra, një vepër e bukur, një akt mirësie apo një moment guximi mund të na bëjnë të ndiejmë admirim dhe të na kujtojnë se problemet tona janë vetëm një pjesë e një panorame më të madhe.

Mjaftojnë disa minuta për të parë një pamje të bukur, për të dëgjuar muzikë që ju frymëzon ose për të kujtuar një moment që ju ka mahnitur.

2 Përqendrohuni te mirënjohja

Të mendoni për gjërat dhe njerëzit për të cilët jeni mirënjohës mund të ndikojë pozitivisht në mirëqenien emocionale.

Mund të shkruani disa gjëra për të cilat ndiheni mirënjohës ose t’i dërgoni një mesazh dikujt që ka pasur një ndikim të rëndësishëm në jetën tuaj.

3 Bëni diçka të mirë për dikë

Një gjest i vogël mund të ketë një efekt të madh. Ndihmoni dikë, dërgoni një mesazh inkurajues, ofroni ndihmën tuaj ose bëni diçka të mirë pa pritur asgjë në këmbim.

Veprimet e tilla mund të krijojnë një cikël pozitiv, duke ju bërë të ndiheni mirë ju dhe personin që keni ndihmuar.

4 Gëzohuni për sukseset e të tjerëve

Kur dikush ndan me ju një lajm të mirë, mos e minimizoni. Tregoni entuziazëm dhe interes të sinqertë.

Të festoni së bashku momentet e bukura mund të forcojë marrëdhëniet dhe të rrisë ndjenjën e gëzimit te të dyja palët.

 5 Lidheni jetën tuaj me atë që ka vërtet rëndësi

Mendoni për vlerat që janë më të rëndësishme për ju. Mund të jetë mirësia, drejtësia, familja, miqësia apo dëshira për të ndihmuar të tjerët.

Më pas, përpiquni të gjeni mënyra të vogla për t’i shprehur këto vlera në jetën tuaj të përditshme. Kjo mund t’ju japë një ndjenjë më të madhe kuptimi.

6 Mendoni se çfarë të mire mund të bëni

Në vend që të përqendroheni vetëm te problemet, mendoni për një mënyrë konkrete se si mund të sillni diçka pozitive në jetën e dikujt tjetër.

Nuk ka nevojë të jetë diçka e madhe. Një ndihmë e vogël, një fjalë e mirë apo një akt dhembshurie mund t’ju japë një ndjenjë qëllimi.

7 Shikojini vështirësitë nga një këndvështrim tjetër

Përvojat e vështira nuk janë gjithmonë vetëm negative. Kur përballeni me një situatë të vështirë, përpiquni të identifikoni disa gjëra pozitive që mund të kenë dalë prej saj.

Mund të mendoni për një mësim që keni marrë, një marrëdhënie që është forcuar apo një aftësi që keni fituar. Kjo nuk e zhduk vështirësinë, por mund t’ju ndihmojë ta shihni atë në një mënyrë tjetër.

Sipas studiuesve, këto momente të vogla gëzimi nuk kërkojnë shumë kohë, por mund të shërbejnë si një pikënisje për ndryshime më të mëdha në mirëqenien emocionale, veçanërisht gjatë periudhave të stresit.

Në fund të fundit, lumturia nuk është gjithmonë rezultat i ndryshimeve të mëdha. Ndonjëherë mund të nisë me vetëm disa minuta kushtuar një momenti të mirë, një personi të dashur apo një veprimi të vogël.

ME TE LEXUARAT