“Kujdes nga skema e re e mashtrimit..." Mesazhe false në emër të Transportit Rrugor për gjobat e trafikut

Një mesazh që njofton për një gjobë të papaguar të automjetit po përdoret si karrem për të mashtruar qytetarët në Shqipëri. SMS-ja, e dokumentuar këtë të hënë nga Shqiptarja.com dërgohet në emër të Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor (DPSHTRR) dhe përmban një link të dyshimtë, përmes të cilit marrësve u kërkohet të kontrollojnë një shkelje të pretenduar të qarkullimit rrugor.
Mesazhi vjen nga një numër i huaj me prefiksin +212 dhe është ndërtuar në mënyrë të tillë që të duket si një njoftim zyrtar. Në të pretendohet se një automjet i regjistruar në emrin e marrësit mund të ketë një çështje të pazgjidhur në lidhje me trafikun.
Për të marrë informacion mbi shkeljen, qytetarit i kërkohet të hyjë në një faqe interneti që përdor emrin e DPSHTRR-së dhe të vendosë numrin e targës së automjetit. Por adresa e përfshirë në SMS nuk është faqja zyrtare e institucionit. Përmes përdorimit të emrit të DPSHTRR-së, mesazhi përpiqet të krijojë përshtypjen se bëhet fjalë për një njoftim të vërtetë lidhur me gjobat e trafikut.
Një tjetër element që bie në sy është presioni për të vepruar brenda ditës. Në mesazh paralajmërohet se nëse gjoba e pretenduar nuk paguhet menjëherë, qytetari mund të përballet me penalitete të tjera. Madje, autorët japin edhe udhëzime se si duhet hapur lidhja. Marrësit i kërkohet të përgjigjet me fjalën “PO”, të mbyllë bisedën dhe ta hapë sërish për të aktivizuar linkun.
Në rast se kjo mënyrë nuk funksionon, i sugjerohet ta kopjojë adresën dhe ta hapë drejtpërdrejt në Safari.
Mashtrimet përmes SMS-ve nuk janë një fenomen i ri në Shqipëri. Vetëm pak muaj më parë Policia e Shtetit paralajmëroi qytetarët për përhapjen e mesazheve mashtruese përmes telefonit dhe aplikacioneve të komunikimit, përfshirë WhatsApp-in.
Sipas Policisë, bëhet fjalë për skema të njohura si “phishing”, që synojnë vjedhjen e të dhënave bankare, fjalëkalimeve, kodeve të verifikimit dhe informacioneve të kartave, të cilat mund të përdoren më pas për transaksione të paautorizuara.
“Mos klikoni në linke të dërguara përmes SMS-ve, WhatsApp-it apo aplikacioneve të tjera të komunikimit, veçanërisht kur mesazhi vjen nga numra të panjohur ose të dyshimtë”, ishte apeli i Policisë.


