Kujdes nga reshjet e shiut dhe era e fortë, ja cilat zona do të preken më shumë, moti sot, 19 nëntor

Ditën e enjte, vendi ynë do të vijojë të jetë nën ndikimin e masave ajrore të paqëndrueshme, të cilat do të kushtëzojnë mot me vranësira të shpeshta dhe reshje shiu në pjesën më të madhe të territorit.
Sipas parashikimit meteorologjik, reshjet pritet të nisin me intensitet të ulët, ndërsa pas orëve të mesditës do të bëhen më të pranishme dhe do të fitojnë intensitet deri mesatar, kryesisht në zonat veriore të vendit. Në pjesën tjetër të territorit, reshjet parashikohet të jenë më të dobëta dhe me karakter të herëpashershëm.
Sa i përket erës, ajo do të fryjë me drejtim kryesor nga kuadrati i jugut, me shpejtësi mesatare rreth 8 m/s. Përgjatë vijës bregdetare, era pritet të fitojë intensitet më të lartë, duke arritur shpejtësi deri në 20 m/s.
Ndërkohë, në zonat detare parashikohet që valëzimi të jetë i forcës 3-5 ballë, duke sjellë kushte më të paqëndrueshme në det.
Qytetarët këshillohen të tregojnë kujdes gjatë lëvizjeve, veçanërisht në zonat ku reshjet dhe era pritet të jenë më intensive.


