Sërish TENSIONE? Policia e Kosovës merr nën kontroll ndërtesën e Shërbimit Nacional për Punësim serb në Veri

Kosovë&Rajon

Sërish TENSIONE? Policia e Kosovës merr nën kontroll

Policia e Kosovës, me urdhër të autoriteteve lokale në Mitrovicën e Veriut, më 16 maj ka marrë në kontroll një ndërtesë që përdorej nga Shërbimi Nacional për Punësim, i cili funksionon në kuadër të sistemit të Serbisë.

Që nga fillimi i vitit 2024 janë mbyllur dhjetëra institucione të tilla serbe, përfshirë organet e përkohshme komunale, postat, bankat, qendrat për punë sociale dhe të tjera.

Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve të Kosovës që gëzon mbështetjen e Beogradit – ka reaguar duke deklaruar se “hyrja” në ambientet e Shërbimit Nacional për Punësim përbën “sulm të drejtpërdrejtë ndaj një prej të drejtave themelore të njeriut”

Në deklaratë thuhet gjithashtu se me mbylljen e institucioneve serbe, Kosova po përpiqet të “shkatërrojë prezencën e shtetit serb me qëllim frikësimin, margjinalizimin dhe dëbimin e popullit serb”.

Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, duke thënë se nga Shërbimi Nacional për Punësim varen dhjetëra mijëra qytetarë dhe se autoritetet e Kosovës “po synojnë përndjekjen e popullit serb dhe nxitjen e konflikteve”.

Ndërkohë, anëtarët e klubeve sportive që kishin përdorur ambientet e palestrës së mbyllur sportive në Mitrovicën e Veriut, protestuan më 16 maj duke kërkuar kthimin e hapësirave në mënyrë që të mund të vazhdojnë aktivitetet e tyre. Ndërkohë, Misioni i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) në Kosovë ka shprehur shqetësim lidhur me veprimet e fundit të autoriteteve kosovare, të cilat, siç thuhet, ndikojnë negativisht në ofrimin e shërbimeve për komunitetet jo-shumicë.

“Mbyllja e këtyre institucioneve, pa alternativa të qëndrueshme, pa përfshirjen e komunitetit lokal dhe pa një tranzicion institucional, e rrezikon seriozisht qasjen në shërbime themelore për komunitetet jo-shumicë”, thuhet në reagimin e misionit.

Edhe ambasadori i Francës në Kosovë, Olivier Guerot, më 15 maj përsëriti shqetësimin për “veprimet e shumta të autoriteteve të Kosovës kundër strukturave të udhëhequra nga Serbia, të cilat ofrojnë shërbime për komunitetin serb”.

“Çështja e këtyre strukturave duhet të zgjidhet përmes dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja. Këto veprime dërgojnë një sinjal negativ për partnerët e Kosovës. Franca po ndjek me vëmendje ndikimin e këtyre vendimeve në jetën e përditshme të serbëve të Kosovës,” shkroi Guerot në rrjetin X.

Edhe shtetet e tjera perëndimore më herët kanë shprehur shqetësime për mbylljen e institucioneve të Serbisë pa dhënë paraprakisht ndonjë zgjidhje alternative për ofrimin e shërbimeve./REL

ME TE LEXUARAT

NA SHKRUAJ

Portali Lajmifundit sjell Lajme nga Shqipëria, rajoni dhe bota në kohë rekord. Ju lutemi na kontaktoni nëse doni të kontribuoni me informacione të vlefshme për publikim në portalin tonë.

Kliko për më shumë informacion