Seanca për presidentin e Kosovës, Kurti akuzon opozitën: Po ngatërron kompromisin me nënshtrimin

Në fjalimin e tij para deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje, kryeministri Albin Kurti ka akuzuar opozitën për mungesë respekti ndaj rezultatit të zgjedhjeve dhe për interpretim të gabuar të konceptit të kompromisit.
Kurti u shpreh se rezultati zgjedhor nuk mjafton vetëm të pranohet, por duhet të respektohet, duke theksuar se respektimi i vullnetit të qytetarëve nuk është nënshtrim.
Sipas tij, opozita po e përdor gabimisht termin “nënshtrim”, ndërsa kompromisin e interpreton si dorëzim të fituesit të zgjedhjeve.
“Kompromisi është marrëveshje që reflekton realitetin e mandatit zgjedhor, duke u dhënë të tjerëve atë që u takon sipas peshës së tyre elektorale,” tha Kurti.
Ai shtoi se kompromisi i vërtetë, sipas tij, duhet të bazohet në dy shtylla kryesore: respektimin e rezultatit të zgjedhjeve dhe përgjegjësinë institucionale të të zgjedhurve ndaj qytetarëve.
Kurti theksoi gjithashtu se çdo marrëveshje politike duhet të pasqyrojë vullnetin e qytetarëve dhe peshën që ata i kanë dhënë secilit subjekt politik në zgjedhje.


