Aurel Hoxhallari “kapet” në Rumani pas 8 vitesh, i dënuar për ngjarjen që tronditi Tiranën, pritet ekstradimi në Shqipëri

Policia rumune ka arrestuar Aurel Hoxhallarin, i shpallur në kërkim ndërkombëtar për vrasjen e Devi Kasmit në janar 2018. Ai e organizoi vrasjen me grupin dhe killerin grek Efthimios Efthimiu, ish-polic special në vendin fqinj. GJKKO e dënoi me burg përjetë për këtë vepër.
Njoftimi i policisë:
Në Rumani, autoritetet rumune kanë bërë arrestimin, me qëllim ekstradimi drejt vendit tonë, të shtetasit të shpallur në kërkim ndërkombëtar A. H., 49 vjeç, lindur në Tiranë.
Shtetasi A. H. ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, në prill të vitit 2018, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest me burg”, për veprat penale “Vrasje me paramendim”, “Prodhim dhe mbajtja pa leje e armëve dhe municioneve luftarake”, “Prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike”, “Grup i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal”.
Më datë 29.01.2018, në rrugën “Kongresi i Manastirit”, Tiranë, dyshohet se shtetasi A. H., në bashkëpunim me një shtetas grek dhe shtetas të tjerë, të organizuar në formën e një grupi të strukturuar kriminal, kanë vrarë me armë zjarri shtetasin shqiptar D. K.
Në banesat e tyre, Policia sekuestroi 9 armë zjarri, 130 kg lëndë narkotike (kanabis), si dhe një numër të madh bimësh kanabisi.
Interpol Tirana, në bashkëpunim me homologët spanjollë dhe rumunë, vijon veprimet për finalizimin e procedurave për ekstradimin e këtyre shtetasve.


