Rama për median britanike: “Zvërneci nuk ndalet”/ “Algoritmet mobilizuan protestuesit”

Kryeministri Edi Rama ka komentuar protestat e zhvilluara në Tiranë, duke i dalluar ato nga protestat e qershorit dhe duke këmbëngulur se protestat e fundit kanë një përbërje më të fortë politike.
Në intervistën për UnHerd, Rama tha se protestat e sotme, sipas tij, janë të nxitura kryesisht nga forca të vogla opozitare, si nga e majta ashtu edhe nga e djathta ekstreme. Në ndryshim, ai vlerësoi protestat e qershorit si më të mëdha dhe me pjesëmarrjen edhe të qytetarëve që kishin votuar Partinë Socialiste.
“Protestat e sotme nuk janë protestat e qershorit, kështu që njerëzit që folën sot janë të ndryshëm”, tha Rama.
Megjithatë, kryeministri u shpreh “shumë krenar” për mënyrën paqësore të protestave, duke e cilësuar këtë si shenjë të një vendi normal evropian ku qytetarët kanë të drejtë të protestojnë.
“Jam shumë, shumë krenar që kemi pasur një protestë kaq të madhe për ditë të tëra në një mënyrë shumë paqësore, dhe se askush nuk u lëndua”, u shpreh kryeministri.
Rama përsëriti qëndrimin se rrjetet sociale dhe algoritmet kanë luajtur rol në mobilizimin e protestuesve dhe pretendoi se një pjesë e konsiderueshme e përmbajtjes online rreth protestave është prodhuar jashtë Shqipërisë.
“Algoritmi bëri shumë për t’i sjellë ato në bulevard. Një përqindje shumë e lartë e përmbajtjes prodhohet jashtë ndërtesës. Nuk është shqiptare”, u shpreh ai.
Duke folur për lidhjen e protestave me projektin e familjes së Jared Kushner, Rama tha se tema e Kushnerit dhe e administratës Trump e ka amplifikuar ndjeshëm debatin në rrjetet sociale. Megjithatë, ai nuk dha shenja se qeveria do të tërhiqet nga projekti. Rama deklaroi se projekti i Zvërnecit nuk do të ndalet, por qeveria do të zhvillojë një proces konsultimi me palët e interesuara. Sipas tij, në fund projekti do të jetë i suksesshëm dhe “do të jetë i bukur”.
“Nëse kjo nuk do të kishte të bënte me Jared Kushnerin, Trumpin, Ivankën dhe të gjitha llojet e fantazive, kjo nuk do të kishte qenë aq e mirë për algoritmin”, tha Rama.
Rama u pyet gjithashtu për akuzat e opozitës për lidhje mes qeverisë dhe krimit të organizuar, përfshirë pretendimet për takime me persona të dyshuar për trafik droge. Kryeministri i hodhi poshtë akuzat dhe kërkoi prova konkrete, duke insistuar se barra e provës duhet të jetë mbi ata që bëjnë akuzat.
Ai kundërshtoi kategorikisht edhe përkufizimin e Shqipërisë si “narko-shtet”. Sipas Ramës, Shqipëria nuk ka luftuar asnjëherë më parë korrupsionin dhe krimin me intensitetin e viteve të fundit. Ai argumentoi gjithashtu se progresi i Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian nuk përputhet, sipas tij, me përshkrimin e vendit si një narko-shtet.
“‘Narko-shtet’, një narko-shtet që filloi të mbyllë kapitujt e negociatave me BE-në? Nuk përputhet në asnjë formë apo formë”, u përgjigj ai.
Në intervistë, Rama u pyet edhe për kritikat e ish-ministres Elisa Spiropali ndaj mënyrës së qeverisjes dhe për mundësinë e përçarjeve brenda Partisë Socialiste. Kryeministri nuk pranoi të komentonte, duke e cilësuar këtë si çështje të brendshme të partisë.
Kryeministri tha se nuk e sheh protestën si kërcënim për ‘trashëgiminë’ e tij politike dhe kujtoi protestat e viteve 2013 dhe 2018, duke theksuar se në një rast ishte tërhequr kur kishte pranuar se protestuesit kishin të drejtë, ndërsa në rastin tjetër kishte zgjedhur dialogun.
“Jo, si mund ta kërcënojnë protestat trashëgiminë? Më pëlqen presioni”, pohoi ai.
Për protestat aktuale, qëndrimi i tij është se nuk do të tërhiqet nga projekti i Zvërnecit, por do të pranojë një proces konsultimi.
Në fund të intervistës, Rama tha se si kryeministër nuk e sheh më veten në nevojë për të provuar diçka politikisht.
“Dëgjo, jam këtu prej 13 vitesh tani. Pra, kam edhe tre vite. Nuk kam asgjë për t’i provuar vetes. Kam vendin tim në historinë e këtij vendi”, tha ai, duke shtuar se tani ka edhe tre vite nga mandati i tij dhe se vlerësimin përfundimtar do ta bëjë populli.


