Palestina thirrje vendeve islamike të tërheqin njohjen e Kosovës

Hapja e ambasadës së Kosovës në Jeruzalem, ka ardhur me pasoja shumë të rënda për Kosovën. Ambasadori palestinez, Mohamed Nabhan, dje në një takim të zhvilluar në Serbi, tha se Palestina u ka kërkuar vendeve anëtare të Organizatës së Bashkëpunimit Islamik, të ndërpresin marrëdhëniet me Kosovën, dhe shumë prej tyre do të tërheqin njohjen e saj.
Mediat kosovare shkruajnë se kërkesa në fjalë u shkrua nga Ministri i Punëve të Jashtme të Palestinës, Riyad el Malki, në një letër dërguar Sekretarit të Përgjithshëm të OKI-së. Ministri ka deklaruar që marrëdhëniet duhet të ndërpriten sepse Kosova me vendimin e saj shkel ligjin dhe rezolutat ndërkombëtare, por gjithashtu sulmon hapur popullin palestinez dhe të drejtat e tij.
Ndërkohë, nëse kjo kërkesë pranohet, Kosova do të përballej me një humbje të madhe të mbështetjes. Ai tha se vendimi i Prishtinës për të hapur një zyrë përfaqësimi në Jeruzalem u dënua nga të gjitha vendet anëtare të Lidhjes Arabe dhe OIS, por që duhet të ndërmerren hapa konkretë në mënyrë që qeveria në Prishtinë të dijë si të sillet në skenën ndërkombëtare.
“Ndërprerja e bashkëpunimit mund të nënkuptojë mbylljen e ambasadave nëse i kanë ato në Prishtinë ose nëse kanë ndonjë marrëveshje, për t’i vendosur ato në akull. Kjo do të thotë shumë. Nëse Kosova insiston në atë që po bën, me siguri do të pasojë. Ky është hapi i dytë. Ne e njohim Rezolutën 1244 dhe e njohim Serbinë brenda kufijve të përcaktuar në atë rezolutë. Prandaj, ne ende nuk e njohim Kosovën dhe nuk do ta bëjmë atë në të ardhmen e afërt”, tha ambasadori Nabhan


