Ndjekje si në filma në Greqi! Kapet shqiptari i shpallur në kërkim! Në banesë iu gjet arsenal armësh

Një 41-vjeçar shqiptar është arrestuar në zonën e Aghios Ioannis Riganas, në Agrinio të Greqisë, pas një ndjekjeje të gjatë nga policia, ndërsa rezultonte në kërkim për grabitje dhe armëmbajtje pa leje.
Sipas mediave greke, ndaj tij ishte lëshuar një urdhër arresti nga Gjykata e Selanikut. Operacioni u zhvillua nga oficerët e Departamentit të Narkotikëve të Agrinios, të cilët e lokalizuan pranë banesës së tij.
41-vjeçari tentoi të arratisej në këmbë përmes tokave bujqësore, duke kaluar mes stallave, ullishtave dhe shkurreve, ndërsa i rezistoi edhe arrestimit duke shtyrë efektivët me duar dhe këmbë. Megjithatë, pas ndjekjes “si në filma”, policia arriti ta neutralizojë dhe ta vërë në pranga.
Gjatë kontrollit në banesën e tij, autoritetet gjetën dhe sekuestruan një armë gjahu me tytë të prerë, një tjetër qytë të prerë si dhe një thikë.
Ndaj shqiptarit janë ngritur akuza për shkelje të ligjit për armët, dhunë ndaj punonjësve të policisë dhe qëndrim të paligjshëm në territorin grek, pasi nuk dispononte dokumente të rregullta qëndrimi.
I arrestuari pritet të dalë para Prokurorisë së Gjykatës së Shkallës së Parë në Aitoloakarnania.


