Kundërshtimi i aksionit policor në veri, 6 persona kanë mbetur të plagosur

Kosovë&Rajon

Kundërshtimi i aksionit policor në veri, 6 persona kanë mbetur

Drejtori i Qendrës Shëndetësore në Mitrovicë të Veriut, Zllatan Ellek ka bërë me dije se nga aksioni i policisë së Kosovës në veri, janë plagosur 6 persona. Kjo vjen pas përballjes mes policisë dhe qytetarëve serbë, të cilët kundërshtojnë aksionin kundër kontrabandës.

“Lëndimet janë shkaktuar nga bombat zhurmuese, ata aktualisht janë në departamentin e pranimit në kirurgji. Ekzaminimi është duke u zhvilluar, që do të thotë lëndime nga bomba zhurmuese dhe gaz lotsjellës”, deklaroi ai.

Gazetarët e REL që gjenden në Mitrovicën e Veriut raportojnë se në këtë komunë përgjatë gjithë kohës po dëgjohen sirenat e kamionëve të zjarrfikësve dhe autoambulancave. Qytetarët tregojnë se për më shumë se një orë është duke u dëgjuar edhe sirena e emrgjencave në këtë komunë.

Kundërshtimi i aksionit policor në veri, 6 persona kanë mbetur

Policia e Kosovës është e vendosur edhe para farmacive në veri. Po ashtu, policia ka sulmuar me gaz lotsjellës protestuesit, me qëllimin për të shpërndarë turmën e tyre që ishte nisur në drejtim të forcave të policisë. Mësohet se në Mitrovicën e Veriut turmat e protestuesve janë shpërndarë, ndërsa aksioni policor po vazhdon edhe në Zveçan.

Në këtë komunë, policia ka reaguar me gaz lotsjellës, pasi qytetarët në Zveçan hodhën në drejtim të forcave të rendit sende të forta. Policia njofton se aksioni po vazhdon dhe është shtrirë në disa zona të ndryshme në Kosovë, duke përfshirë rajonin e Mitrovicës së Veriut dhe të Jugut, të Prishtinës dhe Pejës.

Autoritetet e rendit thanë se aksioni nisi në orët e para të së mërkurës dhe po vazhdon, ndërsa deri më tani janë sekuestruar një sasi mallrash, të cilat dyshohen se janë kontrabandë. “Të gjitha veprimet policore janë duke u realizuar në koordinim me prokuroritë dhe gjykatat kompetente, me urdhër të së cilave janë duke u kryer kontrolle dhe bastisje në lokacione të ndryshme si shtëpi banimi, lokale biznesi, magazina të mallrave etj”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.

Kundërshtimi i aksionit policor në veri, 6 persona kanë mbetur

Kryetari i Komunës së Mitrovicës së Jugut, Agim Bahtiri, përmes një shkrimi në Facebook, u ka bërë ftesë qytetarëve të Mitrovicës që të ruajnë qetësinë dhe maturinë dhe të mos bien në grackën e strukturave kriminale serbe në komunën e veriut.

“ Vetëm duke i respektuar ligjet e Republikës së Kosovës dhe Policinë e Kosovës, mund t’i shërbejnë shtetit tonë”, ka shkruar Bahtiri.

Ai ka kërkuar nga Policia e Kosovës që të kujdeset për sigurinë e qytetarëve shqiptarë që jetojnë në komunën veriore të Mitrovicës. Në këtë aksion, sipas njoftimit të Policisë së Kosovës është e përfshirë edhe Dogana e Kosovës, ndërkaq policia ka shpërndarë disa fotografi të mallrave të sekuestruara, ku vërehen që janë mallra ushqimore. /REL/

ME TE LEXUARAT