Rekord në Shkodër, 265 kg dr'ogë dhe 2 mina antitank, 4 të arrestuar dhe 3 në kërkim

Aktualitet

Rekord në Shkodër, 265 kg dr'ogë dhe 2 mina antitank, 4
Një grup kriminal i dyshuar për prodhimin dhe trafikimin e sasive të mëdha të lëndëve narkotike është goditur nga Policia e Shkodrës, pas një hetimi katërmujor të zhvilluar në drejtimin e Prokurorisë. Në kuadër të megaoperacionit të koduar “Polinomi”, janë sekuestruar 265.4 kilogramë kanabis, dy mina të dyshuara antitank, shtatë telefona celularë dhe gjashtë automjete.

Në përfundim të operacionit janë arrestuar katër persona: A. S., 38 vjeç, E. R., 25 vjeç, dhe dy vëllezërit B. K., 56 vjeç, dhe N. K., 52 vjeç. Ata dyshohen për vepra penale që lidhen me prodhimin dhe shitjen e narkotikëve, pastrimin e produkteve të veprës penale dhe, në rastin e 56-vjeçarit, edhe për armëmbajtje pa leje dhe mbajtjen e armëve shpërthyese e municionit.

Ndërkohë, janë shpallur në kërkim E. K., 58 vjeç, vëllai i dy të arrestuarve, D. K., 23 vjeç, djali i 56-vjeçarit, si dhe A. M., 39 vjeç. Sipas Policisë, të shtatë personat janë banues në Malësinë e Madhe dhe dyshohet se kanë qenë pjesë e një grupi kriminal që vepronte në fushën e prodhimit dhe trafikimit të lëndëve narkotike. Sipas autoriteteve, ata kanë precedentë të mëparshëm kriminalë në të njëjtat fusha.

Gjatë ndërhyrjes në lagjen “Guraj”, në Malësinë e Madhe, shërbimet e Policisë ndaluan një automjet tip “Volkswagen Passat”, që drejtohej nga E. R. Kontrollet në automjet dhe në banesat e B. K. dhe N. K. çuan në zbulimin e 265.4 kilogramëve kanabis, të përgatitur dhe të paketuar për shitje e trafikim.

Gjatë kontrolleve të mëtejshme, në një sipërfaqe toke në pronësi të B. K., u gjetën edhe dy mina të dyshuara antitank. Ato iu dorëzuan shërbimeve xheniere të Forcave të Armatosura për ekzaminime të mëtejshme.

Përveç lëndës narkotike dhe minave, si prova materiale u sekuestruan edhe shtatë telefona celularë dhe gjashtë automjete që, sipas hetimeve, përdoreshin për transportimin e drogës.

Nga hetimi katërmujor ka rezultuar se B. K., N. K., D. K. dhe E. K., të cilët janë familjarë, dyshohet se merreshin me magazinimin dhe paketimin e lëndës narkotike. Ndërsa A. S., E. R. dhe A. M. dyshohet se organizonin transportin dhe shitjen e saj brenda dhe jashtë Shqipërisë.

Policia e Shkodrës vijon kërkimet për kapjen e tre personave të shpallur në kërkim. Në bashkëpunim me Prokurorinë, hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të veprimtarisë së dyshuar kriminale, identifikimin e personave të tjerë që mund të jenë të përfshirë dhe përcaktimin e rolit të secilit.

Gjatë konferencës për median, drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, Dashamir Spaho, deklaroi se operacioni është rezultat i një hetimi intensiv dhe i përdorimit të metodave proaktive. Ai vlerësoi gjithashtu rëndësinë e bashkëpunimit me komunitetin për denoncimin e rasteve të paligjshmërisë.

ME TE LEXUARAT

NA SHKRUAJ

Portali Lajmifundit sjell Lajme nga Shqipëria, rajoni dhe bota në kohë rekord. Ju lutemi na kontaktoni nëse doni të kontribuoni me informacione të vlefshme për publikim në portalin tonë.

Kliko për më shumë informacion