Konferenca e Kryetarëve, prezantohet Buxheti 2027, zbulohet arsyeja, pse opozita vendosi të mos marrë pjesë

Partia Demokratike ka njoftuar se nuk do të marrë pjesë në Konferencën e Kryetarëve e cila është planifikuar të mbahet sot në orën 08:30.
Në një njoftim për shtyp të grupit parlamentar të PD ku sqarohen arsyet se përse kanë vendosur të mos marrin pjesë në konferencë, sipas tyre në momentin e njoftimit të mbledhjes deri në mesnatë deputetëve nuk u është vënë në dispozicion asnjë dokument për projektbuxhetin e vitit të ardhshëm, i cili do të prezantohej sot nga ministri i Financave.
Njoftim për Shtyp i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike:
Sot, në orën 08:30, është thirrur mbledhja e Konferencës së Kryetarëve të Kuvendit, ku ministri i Financave, është parashikuar të prezantojë projektligjin për Buxhetin e Shtetit për vitin 2027 dhe paketën fiskale.
Duam të sqaroj publikisht arsyet përse grupi parlamentar i PD ka vendosur të mos marrë pjesë në këtë mbledhje.
Në momentin e njoftimit të mbledhjes e deri në mesnatë, deputetëve nuk u është vënë në dispozicion asnjë dokument për projektbuxhetin që pretendohet të prezantohet.
As projektligjet, as relacionet shpjeguese, as dokumentacioni financiar që duhet të shoqërojë një nismë të kësaj rëndësie.
Pra, deputetët e Kuvendit të Shqipërisë thirren të dëgjojnë ministrin e Financave të flasë për një dokument që nuk kanë pasur mundësi ta lexojnë, ta studiojnë apo ta analizojnë.
Dhe kjo nuk është mënyra se si duhet të funksionojë Parlamenti i një vendi demokratik.
Kuvendi nuk është sallë konferencash e qeverisë. Deputetët nuk janë publik i ftuar në prezantimet e ministrave.
Detyra jonë kushtetuese është të shqyrtojmë, të kontrollojmë, të kërkojmë llogari dhe të vendosim mbi përdorimin e parave të qytetarëve shqiptarë.
Për më tepër, mbledhja është njoftuar vetëm pasditen e djeshme, për t’u zhvilluar sot në mëngjes.
Neni 12, pika 3, i Rregullores së Kuvendit përcakton shprehimisht se mbledhjet e Konferencës së Kryetarëve, si rregull, zhvillohen jo më herët se 48 orë nga momenti i njoftimit.
Ky rregull nuk mund të shpërfillet sipas dëshirës së Kryetarit të Kuvendit.
Aq më pak kur bëhet fjalë për ligjin më të rëndësishëm financiar të vitit.
Buxheti i shtetit nuk është një dokument formal. Ai përcakton se sa para do të mblidhen nga qytetarët dhe bizneset, si do të shpenzohen ato, cilat sektorë do të financohen dhe cilat do të jenë prioritetet reale të qeverisë.
Prandaj, shqyrtimi i tij kërkon transparencë, dokumentacion të plotë, kohë të mjaftueshme dhe debat parlamentar.
Nuk mund të ketë debat pa dokumente. Nuk mund të ketë kontroll parlamentar pa informacion. Dhe nuk mund të kërkohet përgjegjësi nga deputetët kur atyre u mohohet mundësia për të ushtruar detyrën.
Në vlerësimin tonë, mënyra se si është organizuar kjo mbledhje ngre dyshimin e arsyeshëm se qëllimi nuk është një diskutim serioz për financat publike, por krijimi i një aktiviteti propagandistik të qeverisë.
Kjo bëhet edhe më shqetësuese në kushtet e krizës së rëndë politike që po përjeton vendi.
Në vend që të garantojë funksionimin normal të institucioneve, respektimin e opozitës dhe kontrollin parlamentar, shumica po kërkon që Kuvendi të përshtatet me axhendën politike dhe mediatike të qeverisë.
Ne nuk pranojmë që institucioni i Parlamentit të përdoret për të prodhuar një fasadë normaliteti, ndërkohë që rregullat e funksionimit të tij nuk respektohen.
Duam të jemi shumë të qartë.
Opozita nuk po refuzon diskutimin e buxhetit. Opozita po refuzon një procedurë që e zbraz diskutimin parlamentar nga përmbajtja.
Ne kërkojmë që projektligji për Buxhetin e Shtetit për vitin 2027, së bashku me të gjithë dokumentacionin shoqërues, t’u vihet menjëherë në dispozicion deputetëve.
Kërkojmë që Konferenca e Kryetarëve të thirret duke respektuar Rregulloren dhe të sigurohet një kalendar real shqyrtimi, me kohë të mjaftueshme për analizë, pyetje, diskutime dhe amendamente.
Kërkojmë që procesi të jetë transparent për publikun, sepse buxheti nuk i përket as qeverisë dhe as shumicës parlamentare.
Buxheti i përket qytetarëve shqiptarë.
Dhe së fundi, dua t’i drejtohem Kryetarit të Kuvendit.
Detyra e tij nuk është të organizojë axhendën e ministrave, por të garantojë të drejtat e të gjithë deputetëve dhe zbatimin e Rregullores së Kuvendit.
Respektimi i ligjit dhe i procedurave parlamentare nuk është një favor që shumica i bën opozitës. Është detyrimi më elementar i çdo institucioni.
Për këto arsye, opozita nuk do të marrë pjesë në mbledhjen e sotme të Konferencës së Kryetarëve.
Sepse qeveria ka të drejtë të propozojë buxhetin, por nuk ka të drejtë t’i diktojë Parlamentit si duhet ta kontrollojë atë.


