Shpërthimi në pallatin 5-katësh, kryebashkiaku i Elbasanit: Një 69-vjeçar akoma nuk është gjetur

Kryebashkiaku i Elbasanit, Gledian Llatja, ka dalë në një deklaratë për mediat lidhur me shpërthimin e fuqishëm në pallatin 5-katësh, që shkaktoi dëme të rënda strukturore dhe humbjen e jetës së një 83-vjeçareje.
Ndërkohë, sipas tij 10 persona janë transportuar në spital për ndihmë mjekësore dhe kontrolle, ndërsa vijojnë kërkimet për gjetjen e 69-vjeçarit që rezulton ende i pagjetur.
“Një shpërthim ka ndodhur në një pallat 5-katësh. Është vënë re një dëmtim i strukturës së pallatit. Kemi pasur një shembje të katit të 4-t, i cili ka rënë në katin e 3-të, si dhe të shkallëve lidhëse nga kati i 3-të në katin e 5-të.
Në momentin e shpërthimit ka pasur fillimisht një zjarr në katin e 3-të, i cili është përhapur. Kemi pasur, fatkeqësisht, një humbje jete, një grua 83-vjeçare, e cila ishte në katin e 5-të. Një 69-vjeçar akoma nuk është gjetur. Kemi pasur 10 persona që janë dërguar në spital për ndihmë dhe kontrolle mjekësore.
Njëri nga sektorët e pallatit është bërë i pabanueshëm dhe besojmë se do të jetë e pabanueshme një pjesë e pallatit, por i gjithë pallati paraqet probleme”, u shpreh ai.


