Shtyhet sërish hapja e basteve online/ Qeveria tërhiqet mbrapsht, zbulohet arsyeja

Është shtyrë sërish hapja e basteve online, pasi duhet rishikuar ligji për të forcuar mbikëqyrjen dhe për të shmangur problemet sociale.
Sot në Komisionin e Ekonomisë, ministri i Financave, Petrit Malaj ka deklaruar se, edhe pse kuadri ligjor dhe VKM janë përfunduar, bastet do të hapen pasi të bëhet rishikimi.
“Ne kemi mbaruar të gjithë kuadrin ligjor sa i përket basteve online, VKM-të respektive. Qeveria po e rishikon edhe një herë ligjin për të pasur një mbikëqyrje të kujdesshme për të mos pasur probleme sociale.
Pasi të mbarojë rishikimi i ligjit aktual do të fillojë operimi i lojërave të fatit”, tha Malaj.
Kuadri ligjor për bastet sportive online u plotësua me të gjitha aktet nënligjore 28 muaj pas miratimit të ligjit, në shkurt 2024, por ende nuk është hapur konkurrimi për licencat. Ligji parashikon dhënien e 10 licencave dhe lejon pjesëmarrjen vetëm online, përmes identifikimit me kartë identiteti.


