Jeta në terr e një 68-vjeçari të sëmurë / Shteti i mohon energjinë elektrike dhe legalizimin!

Kur bie nata, në strehën e Feim Musait në Çukë të Sarandës nuk ndizet asnjë dritë. Prej 8 vjetësh, 68-vjeçari jeton pa energji elektrike.
Pas problemeve shëndetësore dhe vështirësive që i solli jeta, ndërtoi fillimisht barakë me llamarina në bahçen e të atit. Me pas të afërmit dhe miqtë e ndihmuan të ndërtoje një dhomë me tualet, gjithsej 16 metra katrorë.
Për lidhjen e energjisë, thotë se ka trokitur në shumë zyra. Por përgjigjet e kanë kthyer sërish në pritje.
"Kam jetuar në një barakë me gjarprin dhe me miun dhe me ndihmën e disa të afërmëve e ndërtova me blloqe betoni, por nuk më japin energji elektrike. Te elektriku më kërkojnë që ndërtesa të jetë në proces legalizimi. Te Legalizimet më thonë janë bllokuar të gjitha nga shteti", thotë Feim Musai.
Feimi nuk kërkon shumë. Një llambë për të ndriçuar dhomën dhe një frigorifer ku të ruajë ilaçet e ushqimin. Nevoja të përditshme, që për të mbeten ende të paarritshme.
"Unë nuk kërkoj asgjë më shumë se të kem energji elektrike për ndriçim dhe për frigoriferin, të ruaj ilaçet dhe një lugë gjellë. Më kanë marrë shpirtin ngado që kam vajtur. Kam vajtur te të gjithë drejtuesit e institucioneve, vetëm te Perëndia nuk kam mundur të vete", shton ai.
Përmes Report tv, Feim Musai kërkon nga Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE), nga Kadastra (ASHK) që të shqyrtojnë rastin dhe t’i mundësojnë legalizimin e objektit dhe lidhjen e energjisë elektrike. Një apel i drejtohet dhe bashkisë së Sarandës për ta trajtuar 68-vjecarin me ndihmë sociale.


