Inflacioni në BE arrin nivelin më të lartë në 3 vjet, Shqipëria dhe rajoni ‘importojnë’ krizën e çmimeve

Aktualitet

Inflacioni në BE arrin nivelin më të lartë në 3 vjet,

Inflacioni në BE arriti nivelin më të lartë në 3 vjet, prej 4% në tetor, për shkak të rritjes së çmimeve të energjisë. Shqipëria, me një normë 3.5% për tetorin, importon pjesën më të madhe të inflacionit nga BE-ja, pasi kryen mbi 50 për qind të shkëmbimeve tregtare me Bashkimin Europian. Megjithatë, vendet e tjera të rajonit regjistruan një normë ndjeshëm më të lartë.

Inflacioni për tetorin në BE, 4%

Inflacioni vjetor në zonën e euros u rrit në 4% në tetor — niveli më i lartë në tre vjet — nga 3.8% që ishte në shtator, sipas të dhënave përfundimtare të publikuara nga Eurostat të mërkurën.

Norma e inflacionit ishte 2.1% në tetor 2025, ndërsa inflacioni mujor qëndroi në 0.5% në zonën e euros. Çmimet e energjisë ishin nxitësi kryesor. Inflacioni vjetor i energjisë u rrit në 21% në tetor, nga 19% në shtator dhe 14.3% në gusht.

Ndër shtetet anëtare të BE-së, normat më të ulëta vjetore u regjistruan në Suedi me 0.6%, si dhe në Çeki e Danimarkë me nga 2.1% secila. Rumania kishte normën më të lartë me 7%, e ndjekur nga Lituania me 6.1% dhe Bullgaria me 5.9%. Greqia regjistroi një normë prej 5.7%. Krahasuar me shtatorin, inflacioni vjetor ra në nëntë shtete anëtare, mbeti i pandryshuar në dy dhe u rrit në 16.

Inflacioni në Shqipëri 3.5%, në Kosovë 7.1%

Inflacioni arriti në 3.5% në Shqipëri gjatë tetorit 2026, duke shënuar një rritje krahasuar me muajin shtator, kur ishte 2.7%. Sipas të dhënave të Eurostat, norma vjetore e inflacionit në vendin tonë u rrit me 0.8 pikë përqindjeje brenda një muaji. Në krahasim me vendet europiane, Shqipëria pozicionohet 0.5 pikë përqindjeje nën mesataren e BE-së.

Edhe në krahasim me vendet e rajonit, Shqipëria vijon të ketë një normë më të ulët të inflacionit. Në Mal të Zi, çmimet u rritën me 5.9%, në Serbi me 4.5%, në Kroaci me 4.4% dhe në Maqedoninë e Veriut me 4%. Diferenca më e madhe vërehet me Kosovën, ku inflacioni ishte 3.6 pikë përqindjeje më i lartë se në Shqipëri.

Kontributin kryesor në rritjen vjetore të çmimeve në muajin tetor e dha grupi “Ushqime dhe pije joalkoolike” me 1.53 pikë përqindjeje (me një rritje vjetore prej 4.4%), pasuar nga grupi “Argëtim, sport dhe kulturë” me një kontribut prej 0.63 pikë përqindjeje dhe një rritje vjetore prej 9.8%. “Transporti” dha një kontribut prej 0.58 pikë përqindjeje dhe rritje vjetore prej 6.9%, ndërsa “Restorante dhe shërbime akomodimi” kontribuan me 0.30 pikë përqindjeje dhe një rritje vjetore prej 2.0%.

Britania e Madhe, inflacioni 3.6% në tetor

Inflacioni në Britaninë e Madhe për tetorin është pothuajse sa në Shqipëri. Çmimet më të larta të karburantit e rritën inflacionin në Mbretërinë e Bashkuar nga 3.5% në shtator në 3.6% në tetor. Nafta arriti një nivel rekord, ndërsa çmimet e ushqimit dhe pijeve joalkoolike u rritën me ritmin e tyre më të ngadaltë në pesë vjet.

“Inflacioni u rrit pak në tetor, me çmimet e karburantit që përsëri kontribuan kryesisht në rritjen e normës vjetore”, tha Grant Fitzner, kryeekonomist në Zyrën për Statistikat Kombëtare (ONS).

Çmimet e karburantit u rritën me 33.2% gjatë vitit deri në tetor, nga 29.8% në shtator. Kjo ishte rritja më e shpejtë që nga korriku 2022. Çmimet e benzinës u rritën në nivelin e tyre më të lartë që nga gushti 2022, ndërsa çmimet e naftës arritën një nivel rekord. Çmimet më të larta të karburantit nënkuptojnë se transporti kontribuoi më shumë në rritjen e normës së përgjithshme të inflacionit. Çmimet e transportit u rritën me 7.5% në vitin deri në tetor, nga 6.6% në shtator. Ndërkohë, inflacioni për ushqimet dhe pijet joalkoolike u ul në 0.9% nga 1.3%, niveli më i ulët që nga shtatori 2021.

Inflacioni bazë, i cili përjashton energjinë, ushqimin, alkoolin dhe duhanin, mbeti i pandryshuar në 2.8%. Indeksi i përgjithshëm i çmimeve të konsumit u rrit me 0.5% në tetor krahasuar me muajin e kaluar.

 

ME TE LEXUARAT

NA SHKRUAJ

Portali Lajmifundit sjell Lajme nga Shqipëria, rajoni dhe bota në kohë rekord. Ju lutemi na kontaktoni nëse doni të kontribuoni me informacione të vlefshme për publikim në portalin tonë.

Kliko për më shumë informacion