Incident gjatë protestës, dy protestues tentojnë të thyejnë me shtyllë hekuri derën e Kryesisë së Kuvendit

Protesta e studentëve dhe qytetarëve në Tiranë është shoqëruar me tensione në orët e pasdites, pasi një grup protestuesish ka qëlluar me gurë drejt godinës së Kryesisë së Kuvendit. Pas incidentit, policia ka ndërhyrë dhe ka shoqëruar disa persona.
Tubimi kishte nisur më herët përpara Ministrisë së Arsimit, ku studentët bllokuan përkohësisht Rrugën e Durrësit dhe ngritën mesazhin “Ne nuk harrojmë”, në referencë të përplasjeve me policinë gjatë protestave të mëparshme. Në zonë ishin angazhuar rreth 700 efektivë.
Gjatë pasdites, protestuesit u zhvendosën në disa akse të Tiranës, duke kaluar edhe nga zona e 21 Dhjetorit, përpara se të riktheheshin në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” dhe pranë Kryeministrisë.
Marshimi është shoqëruar me thirrje për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, por edhe me slogane kundër klasës politike.
Disa protestues kanë qëlluar me gurë drejt Kryesisë së Kuvendit.
Pas këtij episodi kanë ndërhyrë edhe shërbimet e policisë, ku edhe kanë shoqëruar disa protestues.
Më herët, pranë Ministrisë së Arsimit, dy kosha mbeturinash janë përfshirë nga flakët, ndërsa situata më pas u tensionua edhe pranë Kryesisë së Kuvendit. Protesta zhvillohet në ditën e 168-të të mobilizimit, me studentët që vijojnë të kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit dhe të refuzojnë ofertat e qeverisë për dialog.


