Hëna e Saturnit mund të ketë kushte për jetë, studimet tregojnë se mikroorganizmat mund të mbijetojnë

Bota

116821_screenshot-2026-09-30-194412_utv.webp

Dy studime të reja shkencore kanë sjellë të dhëna që mbështesin mundësinë se në hënën Enceladus të Saturnit mund të ekzistojnë kushte të përshtatshme për forma mikroskopike të jetës.

Enceladus ka nën koren e tij të akullt një oqean, i cili karakterizohet nga alkalinitet shumë i lartë, me vlerë pH mbi 10, dhe pothuajse mungesë të plotë të dioksidit të karbonit të lirë. Deri tani mendohej se kushte të tilla e vështirësonin metanogjenezën, proces përmes të cilit disa mikroorganizma në Tokë prodhojnë metan për të siguruar energjinë e nevojshme.

Një ekip i drejtuar nga Dr. Vanessa Helmbrecht, në Universitetin Ludwig Maximilian të Mynihut, testoi mikroorganizma njëqelizorë të marrë nga burimet hidrotermale në fundin e oqeaneve të Tokës.

Në një mjedis laboratorik që simulonte oqeanin e Enceladusit, mikroorganizmat jo vetëm mbijetuan, por përshtatën edhe metabolizmin e tyre. Duke përdorur hidrogjenin e krijuar nga reagimi mes ujit dhe shkëmbinjve në fund të oqeanit, mikrobet aktivizuan mekanizma gjenetikë që u mundësuan të merrnin gjurmë karboni nga karbonatet.

Një studim tjetër, i drejtuar nga ekipi i profesor Frank Postberg në Universitetin e Lirë të Berlinit, analizoi të dhënat e mbledhura nga sonda Cassini gjatë kalimit nëpër gejzerët e polit jugor të Enceladusit.

Analiza e 961 mostrave të akullit zbuloi një shumëllojshmëri të papritur kimike. Disa grimca përmbanin klorur natriumi, të tjera karbonate dhe të tjera fosfate.

Sipas studimit, pikat e ujit që ngrihen nga oqeani përmes çarjeve të akullit ftohen gradualisht, duke bërë që kripërat dhe përbërjet organike të ndahen. Pikat, që mund të lëvizin me shpejtësi rreth 1 mijë kilometra në orë, përplasen me muret e çarjeve dhe shpërbëhen në grimca të vogla.

Kjo mund të jetë e rëndësishme për kërkimin e jetës, pasi gjurmë të mundshme biologjike, si lipidet ose aminoacidet, mund të dalin në hapësirë përmes gejzerëve dhe të mblidhen nga sondat e ardhshme pa qenë e nevojshme ulja në sipërfaqen e Enceladusit.

ME TE LEXUARAT