Greqi/ Reshjet e dendura shkaktojnë dëme të mëdha në Kretë, 2 të vdekur e dhjetëra të evakuuar

Kosovë&Rajon

Greqi/ Reshjet e dendura shkaktojnë dëme të mëdha në

Teksa ujërat e përmbytjeve kanë nisur të tërhiqen, në ishullin grek të Kretës po bëhet gjithnjë e më i qartë bilanci i dëmeve të shkaktuara nga moti i keq që goditi jugun e Greqisë që prej së mërkurës.

 Dëme të mëdha janë regjistruar në infrastrukturë, rrjetin rrugor, tokat bujqësore, vreshtat dhe fermat blegtorale. Në zonën e Heraklionit janë dëmtuar rrugët rurale, fermat dhe vreshtat, ndërsa sektori i verës ka pësuar humbje të konsiderueshme dhe kanë nisur vlerësimet e para.

 Në Gouves, ku gjatë stuhisë automjetet u morën nga rrjedha e ujit dhe përfunduan në det, kanë nisur operacionet e pastrimit. Ndërkohë, në rajonin e Lasithit situata mbetet e rëndë, pasi reshjet intensive kanë dëmtuar rrjetin rrugor, kanë përmbytur sipërfaqe të mëdha bujqësore dhe kanë shkaktuar shembje të reja rrugësh dhe rrëshqitje dherash.

Të dielën në mëngjes, 47 persona u evakuuan nga hotele dhe banesa me qira në zonat Ferma dhe Koutsounari ndonwse nuk ishin në rrezik të menjëhershëm. Që nga e shtuna, zjarrfikësit kanë kryer 79 operacione shpëtimi.

 Shqetësim vazhdon të ketë edhe për tetë persona që kanë mbetur të bllokuar në Grykën e Samarias. Për shkak të reshjeve dhe nivelit të lartë të ujit, ndërhyrja për t'i nxjerrë nuk është ende e sigurt. Sipas autoriteteve, grupi ka një mjek, ilaçe dhe furnizime të mjaftueshme, ndërsa komunikimi me ta vazhdon përmes telefonit dhe internetit satelitor.

Në disa akse rrugore vijojnë kufizimet e qarkullimit, ndërsa autoritetet u bëjnë thirrje banorëve dhe drejtuesve të mjeteve të shmangin udhëtimet e panevojshme dhe të ndjekin udhëzimet e Policisë.

Reshjet në disa zona arritën nivele të krahasueshme me sasinë e shiut që bie zakonisht gjatë një viti, duke shkaktuar përmbytje, rrëshqitje dherash dhe dëme të mëdha.

Deri tani moti i keq ka shkaktuar dy viktima. Një bari i moshuar u gjet i pajetë në rajonin e Retimnos, ndërsa një ditë më vonë një grua 58-vjeçare humbi jetën pasi u godit nga rrufeja gjatë pushimeve në ishullin e Rodosit.

ME TE LEXUARAT