Greku tentoi t’i shpëtonte kontrollit në Rinas, arrestohet me 24.5 kg kana'bis (Foto dhe emri)

Një 51-vjeçar grek, i identifikuar si Michail Prokovas, është arrestuar pasi në valixhet e tij u gjetën rreth 24.5 kilogramë kanabis. Ai kishte mbërritur në Rinas me një fluturim nga Athina, por sapo ka konstatuar se bagazhi i tij po kontrollohej nga policia dhe dogana, është larguar nga aeroporti.
Ngjarja nisi gjatë përpunimit të fluturimit të linjës Aegean, Athinë–Tiranë. Në bashkëpunim me strukturat doganore, ishte vendosur që bagazhet e stivës të kalonin në kontroll me skaner të jashtëm.
Gjatë kontrollit, në një prej valixheve u evidentua lënda narkotike. Në këtë moment, pasagjeri grek, i cili dyshohet se ishte poseduesi i bagazhit, ka kuptuar se valixhja e tij po kontrollohej dhe është larguar nga aeroporti.
Për shkak se pasagjerët përpunohen më herët, ndërsa bagazhet mbërrijnë dhe kontrollohen më pas, policia kishte mundësi të vijonte verifikimet për identifikimin e personit që i përkiste bagazhi.
Pas konstatimit të lëndës narkotike, specialistët e seksionit të hetimit nisën menjëherë verifikimet për gjetjen e pasagjerit. Nga këqyrja e kamerave të sigurisë u identifikua se 51-vjeçari ishte larguar nga Rinas me taksi në drejtim të Tiranës.
Gjurmimi vijoi deri në një hotel në kryeqytet, ku dyshohej se ishte sistemuar shtetasi grek. Shërbimet policore u organizuan në bashkëpunim me strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë dhe 51-vjeçari u lokalizua dhe u arrestua në ambientet e hotelit.
Nga verifikimet rezultoi se greku kishte udhëtuar për herë të parë nga Rinas. Në bagazhin e tij u gjetën dhe u sekuestruan rreth 24 kilogramë e 500 gramë kanabis, ndërsa hetimet vijojnë për të dokumentuar të plotë rrethanat e transportit të lëndës narkotike dhe destinacionin e saj.
Në fokus të hetimit mbetet edhe mënyra se si droga ishte futur në bagazh dhe nëse 51-vjeçari vepronte i vetëm apo ishte pjesë e një grupi më të gjerë.


