Goditet rrjeti shqiptar në Belgjikë, 2 mijë bimë kana'bisi dhe 55 kg dro'gë të sekuestruara

Aktualitet

Goditet rrjeti shqiptar në Belgjikë, 2 mijë bimë
Gjashtë shtetas shqiptarë kanë përfunduar në burg në Belgjikë, pasi policia zbuloi një rrjet të dyshuar të organizuar për kultivimin e paligjshëm të kanabisit, i cili vepronte në disa zona të vendit. Operacioni u zhvillua më 9 nëntor, pas një hetimi të nisur gjatë vitit 2026 nga policia lokale e Leuvenit.

Sipas mediave belge, kontrollet u ushtruan njëkohësisht në pesë banesa në Etterbeek, Evere, Leuven, Overijse dhe Tervuren, në kuadër të një hetimi për një organizatë kriminale të dyshuar për prodhimin e kanabisit. Aksioni u shtri në tre rajone policore, Leuven, Halle-Vilvoorde dhe Bruksel.

Gjatë kontrolleve, autoritetet zbuluan tri plantacione profesionale të kanabisit, dy prej të cilave ishin në funksion të plotë. Në total u gjetën më shumë se 2 mijë bimë kanabisi, ndërsa në ambientet e kontrolluara u sekuestruan edhe rreth 55 kilogramë kanabis i korrur.

Përveç lëndës narkotike, policia gjeti dhe sekuestroi mbi 17 mijë euro para në dorë. Të gjitha plantacionet u çmontuan, ndërsa kanabisi i sekuestruar do të shkatërrohet.

Në pranga përfunduan gjashtë burra me shtetësi shqiptare, të moshave 29 deri në 57 vjeç. Ata u paraqitën më 10 nëntor para gjyqtarit hetues, i cili vendosi arrestimin e tyre. Të dyshuarit akuzohen për shkelje të legjislacionit për narkotikët, konkretisht kultivim të kanabisit dhe pjesëmarrje në një organizatë kriminale.

Sipas televizionit publik belg VRT dhe mediave të tjera lokale, hetimi u mbështet edhe nga struktura të tjera policore, përfshirë Policinë e Aviacionit në Charleroi, e cila kishte ndihmuar për disa muaj në këtë çështje. Autoritetet nuk kanë bërë të ditur ende se çfarë roli ka pasur secili prej gjashtë të arrestuarve në aktivitetin e dyshuar kriminal.

Ky nuk është rasti i parë ku shtetas shqiptarë dyshohen për përfshirje në kultivimin e paligjshëm të kanabisit në Belgjikë. Në dhjetor të vitit 2025, një gjykatë në Bruksel dënoi me burgim 10 shtetas shqiptarë për kultivim ilegal të kanabisit.

Ndërkohë, një hetim i përbashkët i mediave Knack, Le Soir dhe RTBF, i publikuar në qershor 2026, ngriti shqetësimin për zgjerimin e rrjeteve kriminale shqiptare në Belgjikë dhe përfshirjen e tyre në aktivitetet e paligjshme të drogës.

Edhe rasti i fundit ka rikthyer vëmendjen te aktiviteti i dyshuar i këtyre organizatave në vend, ndërsa hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht mënyrën e funksionimit të rrjetit, personat e tjerë që mund të jenë të përfshirë dhe përmasat e aktivitetit kriminal.

ME TE LEXUARAT

NA SHKRUAJ

Portali Lajmifundit sjell Lajme nga Shqipëria, rajoni dhe bota në kohë rekord. Ju lutemi na kontaktoni nëse doni të kontribuoni me informacione të vlefshme për publikim në portalin tonë.

Kliko për më shumë informacion