Fituesi i Çmimit Nobel, në ekonomi: Evropa duhet të përqafojë 'shkatërrimin krijues' të Inteligjencës Artificiale

Fituesi i Çmimit Nobel, Philippe Aghion, i kërkoi BE-së të inkurajojë lojtarët e rinj në tregun e inteligjencës artificiale, të zbusë kufizimet përmes ndihmës shtetërore dhe të forcojë mbrojtjen për punonjësit që humbin vendin e punës apo përballen me ndërprerje teknologjike
Inteligjenca artificiale (IA) mund të nxisë rritjen ekonomike në Evropë, me kusht që rregullat e konkurrencës së BE-së të lejojnë kompanitë e reja të hyjnë në treg, thekson ekonomisti fitues i Çmimit Nobel, Philippe Aghion.
Ai i bëri këto komente, mes shqetësimeve në rritje mbi dominimin e një numri të vogël kompanish amerikane në tregun e inteligjencës artificiale dhe ndikimin e teknologjisë në punësim, nisur nga frika e humbjeve së vendeve të punës gjatë viteve të ardhshme.
“Me anë të inteligjencës artificiale, më shumë se kurrë, ndodh shkatërrimi krijues, sepse nëse shikoni shkallën e shkatërrimit dhe krijimit të vendeve të punës, një fenomen i tillë po përshpejtohet nga revolucioni i inteligjencës artificiale - dhe prandaj është shumë e rëndësishme që të lejohet hyrja e firmave të reja”, tha Aghion gjatë një eventi në Bruksel.
“Në të njëjtën kohë”, shtoi ai, “është e rëndësishme të kemi institucione si sistemi i fleksigurisë që lehtëson kalimin nga vendet e vjetra të punës në vendet e reja të punës, sepse ndihmon në menaxhimin e ‘përçarjes’ kritike.”
Aghion vuri në dukje modelin e tregut të punës në Danimarkë, i cili kombinon fleksibilitetin në punësim dhe shkarkim me një rrjet sigurie bujar për punëtorët e papunë.
Një raport i kohëve të fundit i Komisionit Evropian zbulon se punësimi në mesin e punëtorëve me kualifikime të larta mund të rritet me 20% deri në vitin 2040 falë inteligjencës artificiale, ndërsa humbjet e vendeve të punës në mesin e punëtorëve me kualifikime të ulëta mund të variojnë nga 20% në 60% në të gjithë Evropën.
Aghion ndau Çmimin Nobel të Shkencave Ekonomike për vitin 2025 për punimin e tij shkencor mbi “shkatërrimin krijues”, proces i cili shpjegon sesi inovacionet e fundit vazhdimisht zëvendësojnë teknologjitë, bizneset dhe vendet e vjetra të punës.
Aghion u shpreh se sistemet e mirëqenies sociale të BE-së janë më mirë të pajisura se sistemi amerikan për të menaxhuar ndryshimet në punësim të lidhura me inteligjencën artificiale: “Ne jemi përpara SHBA-së kur bëhet fjalë për tregun e punës që duhet të akomodojë revolucionin e inteligjencës artificiale.”
Megjithatë, nobelisti shprehet se BE-ja duhet të frymëzohet nga SHBA-ja në aspektin e politikës industriale për të siguruar që inteligjenca artificiale të shoqërohet me rritje dhe vende pune.
“Në SHBA, ata kanë si politikë konkurrence ashtu edhe politikë industriale. Kanë DARPA-n - Agjencinë e Projekteve të Kërkimit të Avancuar të Mbrojtjes - e cila është një mënyrë miqësore ndaj konkurrencës për të hartuar politika industriale.”
DARPA është një agjenci amerikane përgjegjëse për zhvillimin e teknologjive të reja të mbrojtjes. “Në Evropë deri më tani nuk kemi ekuivalentin e DARPA-s dhe do të imagjinoja shumë mirë që një e tillë të zhvillonte fuqinë kompjuterike të inteligjencës artificiale dhe po ashtu kjo do të inkurajonte firmat e reja të hynin [në treg].”
Ai shtoi se qasja e BE-së ndaj politikës së konkurrencës po e “pengon” sektorin nga marrja e ndihmës shtetërore, “gjë që ishte një politikë shumë anti-industriale”.
Aghion argumentoi se rregullat e konkurrencës së BE-së duhet të inkurajojnë hyrësit e rinj dhe të promovojnë ndarjen e të dhënave në të gjithë zinxhirin e vlerave të IA-së, përfshirë edhe ‘cloud computing’.
Dominimi i gjigantëve të teknologjisë amerikane në sektorin e inteligjencës artificiale ka nisur të shqyrtohet me kujdes nga rregullatorët e BE-së.


