Fitues i çmimit të dytë në “Albania’s Got Talent”, Diego Zelka rrëfen si ndryshoi jeta e tij pas spektaklit

Pjesëmarrja në spektaklin “Albania’s Got Talent”, ku rrëmbeu çmimin e vendit të dytë, shënoi një moment të rëndësishëm në rrugëtimin artistik të Diego Zelkës.
I ftuar në studion e emisionit “Takohemi n’Vizion”, ai tregoi se pas kësaj eksperience ka pasur një vit të mbushur me angazhime dhe aktivitete të ndryshme artistike.
“Nga ai moment kanë rrjedhur goxha gjëra. Ka qenë një vit i angazhuar me shumë aktivitete të ndryshme në Teatrin e Operës dhe Baletit, me muzikë liturgjike. Një vit me shumë angazhime”, tha Diego.
Ndërsa, kur u pyet nga moderatorja Fjodora Fjora se çfarë këshille do t’i jepte vetes në fëmijëri për atë që ka arritur sot, ai theksoi rëndësinë e besimit te vetja, durimit dhe pranimit të gabimeve.
“Ki pak më shumë besim tek vetja. Mos u nxito, se do të kesh kohë t’ia dalësh. Mos e gjyko më shumë seç duhet veten tënde. Pranoje edhe të mirat, edhe gabimet”, tha Diego Zelka.


