FINLANDA PEZULLON GOOGLE/ Autoritetet ndalojnë punimet në dy qendra të të dhënave për AI

Finlanda ka urdhëruar pezullimin e punimeve në dy qendra të të dhënave të Google, të planifikuara për të mbështetur zhvillimin e inteligjencës artificiale. Autoritetet kanë ngritur shqetësime për dëmtimin e mjedisit dhe po hetojnë nëse kompania ka kryer shpyllëzime pa përfunduar vlerësimet e detyrueshme të ndikimit në mjedis.
Finlanda ka urdhëruar pezullimin e punimeve në dy qendra të të dhënave të Google, të planifikuara për të mbështetur zhvillimin e inteligjencës artificiale, pas shqetësimeve për dëmtimin e mjedisit.
Agjencia Finlandeze e Mbikëqyrjes i ka kërkuar kompanisë që përfaqëson Google, të ndalojë punimet në zonat e Muhos dhe Kajaani, deri në përfundimin e vlerësimeve të detyrueshme të ndikimit në mjedis.
Autoritetet po hetojnë nëse kompania ka prerë qindra hektarë pyll pa kryer më parë këto vlerësime. Sipas Shoqatës Finlandeze për Ruajtjen e Natyrës, në zonat ku do të ndërtohen qendrat e të dhënave janë shpyllëzuar më shumë se 300 hektarë, përfshirë zona që duhej të ishin të mbrojtura.
Kreu i departamentit të mjedisit tha se në terren janë prerë pemë, është hequr shtresa e sipërme e tokës, janë ndërtuar rrugë dhe zona magazinimi dhe janë modifikuar kanalet kulluese.
Google kishte njoftuar në shtator një investim prej 13 miliardë eurosh në infrastrukturën dixhitale në Finlandë gjatë dy viteve të ardhshme, duke e cilësuar si investimin më të madh të vetëm në Evropë. Kompania thotë se investimi synon të mbështesë ambiciet në inteligjencën artificiale. Por ministrja finlandeze e Mjedisit dhe Klimës paralajmëroi se problemet me vlerësimet mjedisore mund të shkaktojnë vonesa në projekt.
Google ka pranuar se nuk ka përmbushur standardet e duhura në këtë rast. Zëdhënësi Sondre Ronander tha se kompania do shqyrtojë gjetjet e autoriteteve dhe do ndjekë udhëzimet, ndërsa theksoi se Google kishte vepruar me mirëbesim dhe kishte ndërmarrë dhe masa mjedisore. Kompania ka planifikuar mbjelljen e pemëve në 130 hektarë në Muhos.
Autoritetet i kanë kërkuar kompanisë shpjegime dhe të paraqesë planin deri më 14 tetor, ndërsa pezullimi i punimeve duhet të zbatohet jo më vonë se 23 tetori. Nëse Google nuk respekton kërkesën, agjencia finlandeze mund të nisë procedurat e zbatimit të detyrueshëm.


