Rënie e lindjeve në Shqipëri, INSTAT zbulon sa foshnja erdhën në jetë këtë vit

Aktualitet

Rënie e lindjeve në Shqipëri, INSTAT zbulon sa foshnja
Publikimi i të dhënave për tremujorin e tretë jep tashmë një panoramë më të plotë të lindjeve në Shqipëri gjatë vitit 2026. Në nëntë muajt e parë janë regjistruar gjithsej 16,016 lindje. Edhe këtë vit, korriku-shtatori rezulton periudha me më shumë lindje deri tani, duke ruajtur modelin sezonal të viteve të mëparshme. Megjithatë, krahasuar me nëntëmujorin e vitit 2025, numri i lindjeve ka rënë me 4.7%, ose 789 më pak.

Një analizë e të dhënave të INSTAT për periudhën 2011-2025 zbulon se në 14 nga 15 vitet, tremujori i tretë ka regjistruar numrin më të lartë të lindjeve në Shqipëri. I vetmi përjashtim është viti 2019-të, kur më shumë fëmijë lindën gjatë tetorit-dhjetorit.

Përgjatë 15 viteve, mesatarisht 28.1% e lindjeve vjetore kanë ndodhur gjatë korrikut, gushtit dhe shtatorit. Tremujori i katërt renditet i dyti, me 25.6%, i ndjekur nga prilli-qershori me 23.5% dhe janari-marsi me 22.8%.

Ky model sezonal vërehet edhe në të gjitha qarqet, kur analizohen të dhënat e përmbledhura të periudhës 2011-2025, megjithëse ka dallime territoriale.

Durrësi ka përqendrimin më të lartë të lindjeve gjatë tremujorit të tretë, me 28.6% të totalit 15-vjeçar, i ndjekur nga Elbasani me 28.4% dhe Vlora me 28.3.

Tirana, Korça dhe Vlora paraqesin modelin më të qëndrueshëm, pasi korriku-shtatori ka kryesuar në 14 nga 15 vitet, ndërsa në Gjirokastër, kjo ka ndodhur vetëm në nëntë vite.

Dallimet shfaqen edhe në periudhat e tjera. Në nëntë qarqe, tetori-dhjetori është tremujori i dytë me më shumë lindje, ndërsa në Dibër, Korçë dhe Kukës këtë pozicion e zë prilli-qershori.

Të dhënat tregojnë se periudha e pikut të lindjeve mbetet relativisht e qëndrueshme, por numri i fëmijëve që lindin në Shqipëri është tkurrur ndjeshëm. Nga 34,232 lindje në vitin 2011, vendi regjistroi vetëm 22,541 në vitin 2025, një rënie prej 34.2%.

ME TE LEXUARAT

NA SHKRUAJ

Portali Lajmifundit sjell Lajme nga Shqipëria, rajoni dhe bota në kohë rekord. Ju lutemi na kontaktoni nëse doni të kontribuoni me informacione të vlefshme për publikim në portalin tonë.

Kliko për më shumë informacion