Emrat, kush janë 3 shqiptarët e arrestuar në Spanjë? Dyshohen për 17 grabitje

Tre shtetas shqiptarë janë arrestuar në Spanjë në kuadër të operacionit “Ziralla”, pasi dyshohet se janë autorë të 17 grabitjeve të banesave në provincat Ourense, Pontevedra dhe A Coruña.
Sipas mediave spanjolle, grupi vepronte në mënyrë të organizuar dhe arrinte të përfundonte grabitjet brenda 10 minutash. Tre të arrestuarit, Renato D., Ermal N. dhe Florian P., dyshohet se përdornin automjete me targa të modifikuara, mjete hidraulike dhe reagentë kimikë për të kontrolluar pastërtinë e arit dhe diamanteve të vjedhura.
Gjatë operacionit, Garda Civile tentoi t’i arrestonte në dy raste, por ata arritën të arratiseshin duke përdorur një automjet me fuqi mbi 350 kuaj fuqi. Sipas autoriteteve, gjatë arratisjeve ata u përplasën edhe me automjetet e policisë.
Arrestimi përfundimtar u krye më 18 nëntor në Vila de Cruces, në provincën e Pontevedra-s, ku tre shqiptarët ishin strehuar në një zonë pyjore dhe flinin në një çadër kampingu.
Të tre ndodhen aktualisht në burg, ndërsa hetimet vijojnë për të zbardhur edhe vepra të tjera penale që mund t’u atribuohen. Garda Civile dyshon se grupi mund të jetë përgjegjës për grabitje të tjera përtej 17 rasteve të identifikuara deri më tani.


