E fshehur mes veshjeve, sekuestrohen 207 kg dro'gë që vinte nga Tajlanda, me vlerë 1 mln euro

Një sasi e konsiderueshme droge është sekuestruar nga autoritetet greke, pas një operacioni të zhvilluar nga Nëndrejtoria e Antidrogës në bashkëpunim me Departamentin e Luftës kundër Kontrabandës në Aeroportin “Eleftherios Venizelos”.
Bëhet fjalë për 207 kilogramë e 466 gramë kanabis të papërpunuar, të cilat u zbuluan dhe u sekuestruan gjatë muajit gusht 2026, në një magazinë për depozitimin e përkohshëm të mallrave.
Sipas mediave greke, lënda narkotike ishte fshehur në 48 kuti kartoni, të vendosura mbi dy paleta. Ngarkesa kishte mbërritur me transport ajror nga Tajlanda, ndërsa në dokumentet shoqëruese ishte deklaruar se bëhej fjalë për veshje.
Nga hetimet dhe informacionet e siguruara, autoritetet arritën të identifikonin përmbajtjen e vërtetë të ngarkesës, duke parandaluar shpërndarjen e saj në tregun e narkotikëve.
Sipas përllogaritjeve të autoriteteve greke, përfitimi financiar nga shitja e kësaj sasie droge do të arrinte në afro 1 milion euro. Hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të rastit dhe identifikimin e personave të përfshirë në këtë trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike.


