Dyfishohet taksa e makinave/ Ndryshon nga janari 2027, automjetet e vjetra dhe ato me naftë paguajnë më shumë

Aktualitet

Dyfishohet taksa e makinave/ Ndryshon nga janari 2027, automjetet e vjetra dhe

Sa më i madh motori dhe sa më e vjetër makina, aq më e lartë do të jetë pagesa e taksës vjetore që do të shlyeni duke nisur nga janari 2027.

Ky është ndryshimi kryesor që do të sjellë projektligji i ri për taksat kombëtare, i cili parashikon heqjen e taksës së qarkullimit nga nafta dhe kalimin te taksa vjetore e automjeteve.

Taksa e re vjetore do të llogaritet në bazë të vjetërsisë, fuqisë motorike dhe llojit të karburantit, teksa makinat me naftë do të paguajnë më shumë se ato me benzinë apo gaz. Formula mbetet shumëzimi i cilindratës me koeficientin e vjetërsisë dhe tarifën sipas karburantit, por rriten tarifat dhe rishikohen koeficientët.

Aktualisht taksa fikse që paguhet sipas llojit të karburantit në taksat vjetore është 12.5 lekë për naftën dhe 10 lekë për benzinën.

Nëpërmjet projektligjit propozohet që për mjetet me fuqi motorike deri në 2 mijë kubikë, taksa do të jetë 25 lekë për naftën, 20 lekë për benzinën dhe 20 lekë për gazin. Për mjetet me fuqi motorike mbi 2 mijë kubikë, taksa fikse për llojin e karburantit është 26 lekë për naftën, 21 lekë për benzinën dhe 21 lekë për gazin. Kurse për autobusët, taksa fikse për llojin e karburantit është 25 lekë për naftën, 20 lekë për benzinën dhe 20 lekë për gazin.

Duke nisur nga motori e deri te lloji i karburantit, kjo është tabela me vlerën përfundimtare të taksës vjetore që duhet të paguajnë të gjithë shoferët. Këto shuma përfshijnë vetëm taksën e makinës. Siguracioni dhe kontrolli teknik paguhen veçmas.

Por nëse marrim një shembull, një autoveturë e vitit 2016 me fuqi motorike 1,600 kubikë, me naftë dhe koeficient vjetërsie 0.24, që aktualisht paguan 4,800 lekë taksë vjetore, nga janari 2027 do të paguajë 9,600 lekë ose 100% më shumë.

Gjithashtu, për makinat elektrike parashikohet një pagesë fikse prej 15 mijë lekësh në vit, ndërsa për motorët elektrikë 1 mijë lekë. Për automjetet që klasifikohen si luksoze, taksa e posaçme vjetore rritet nga 21 mijë në 40 mijë lekë.

Në skemë përfshihen edhe rimorkiot dhe gjysmërimorkiot. Për ato me peshë deri në 50 tonë do të paguhet 1 lek/kilogram, ndërsa mbi këtë peshë taksa do të jetë 60 mijë lekë në vit.

Por, ndërsa më parë taksën e qarkullimit te nafta e paguanin edhe të huajt kur furnizoheshin për çdo litër karburant, edhe për ndryshimin e taksës vjetore qeveria po mendon një tjetër taksë që do t’u aplikohet të huajve që në doganë.

Numri i mjeteve në qarkullim në Shqipëri, sipas të dhënave të INSTAT-it, ka kaluar 1.1 milionë, ndërsa më shumë se një e treta e tyre është përqendruar vetëm në Tiranë. Një rritje me 8.7% brenda një viti.

 

 

ME TE LEXUARAT

NA SHKRUAJ

Portali Lajmifundit sjell Lajme nga Shqipëria, rajoni dhe bota në kohë rekord. Ju lutemi na kontaktoni nëse doni të kontribuoni me informacione të vlefshme për publikim në portalin tonë.

Kliko për më shumë informacion