Presidentja e Kosovës dekreton Ligjin për Byronë e Konfiskimit të Pasurisë së Pajustifikueshme, nis faza e zbatimit

Ligji për Byronë shtetërore për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme është dekretuar nga presidentja Justina Shiroka-Pula, dy javë pas miratimit në Kuvend.
Presidentja e Kosovës, Justina Shiroka-Pula, ka dekretuar Ligjin për Byronë shtetërore për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme, i cili ishte miratuar në Kuvend dy javë më parë.
Lajmin e ka bërë të ditur kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, e cila ka njoftuar se nga Presidenca ka pranuar dekretin për shpalljen e ligjit.
Sipas Haxhiut, me dekretimin e tij, ligji hyn në një fazë të re, atë të zbatimit.
“Për secilin që ushtron funksion publik, është e qartë se çdo pasuri duhet të ketë burim të ligjshëm dhe të dokumentuar. Kuvendi do ta përcjellë nga afër ngritjen e Byrosë. Qytetarët do ta matin këtë ligj me rezultatet që do të japë”, ka shkruar Haxhiu.
Miratimi i ligjit në Kuvend ishte shoqëruar me kundërshtime nga deputetët e opozitës, të cilët kishin ngritur shqetësime lidhur me përmbajtjen dhe zbatueshmërinë e tij.
Nga gjithsej 24 amendamente të propozuara, 12 ishin paraqitur nga opozita, ndërsa deputetët e partisë në pushtet kishin mbështetur vetëm njërin prej tyre.
Ligji synon krijimin e mekanizmit shtetëror për verifikimin e pasurisë së pajustifikueshme dhe konfiskimin e saj në rastet kur plotësohen kushtet ligjore.
Sipas dispozitave të tij, ligji hyn në fuqi 15 ditë pas publikimit në Gazetën Zyrtare.


