Koçeku, Kapri dhe Kedhi, takim në Ambasadën Amerikane / Çfarë u diskutua me zyrtarët e Uashingtonit?

Deputetja e pavarur Marjana Koçeku, deputeti i Partisë Mundësia, Erald Kapri si dhe nënkryetari i PD-së, Nikola Kedhi kanë zhvilluar një takim në ambasadën amerikane me zyrtarë të lartë të ardhur nga Uashingtoni.
Burimet thonë se në takim është folur për situatën politike në Shqipëri, duke përfshirë edhe pakënaqësitë e akumuluara dhe të shprehura përmes protestës popullore.
Ndër deputetët e rinj të spikatur në këtë situatë politike, Marjana Koçeku ka pasur takime të shumta me diplomatë të huaj, si dhe është shfaqur në mediat më të rëndësishme ndërkombëtare për të folur për situatën në Shqipëri dhe protestën.
Gjithashtu, Erald Kapri është ndër deputetët e rinj më të spikatur në Kuvendin e Shqipërisë, i angazhuar në mbështetje të protestës. Po ashtu edhe Nikola Kedhi është ndër të rinjtë më aktivë të PD-së.
Takimi merr rëndësi edhe për shkak të momentit politik në të cilin zhvillohet. Mazhoranca vazhdon betejën me drejtësinë, pasi ish-zyrtarë dhe zyrtarë të lartë të qeverisjes socialiste akuzohen për korrupsion.
Ndërkohë, protesta studentore vazhdon dhe studentët kanë refuzuar në vazhdimësi dialogun e kërkuar nga kryeministri.


