Helmimi i fëmijëve në kopshtin nr. 10 në Vlorë / Qendra e Shërbimeve Ligjore Europiane kallëzim penal në Prokurori

Aktualitet

Helmimi i fëmijëve në kopshtin nr. 10 në Vlorë / Qendra

Qendra e Shërbimeve Ligjore Evropiane (CELS) ka depozituar kallëzim penal në Prokurorinë e Vlorës për rastet e dyshuara të helmimit të fëmijëve në kopshtin nr. 10 dhe të banorëve të qytetit. Organizata kërkon nisjen e menjëhershme të hetimeve, sekuestrimin e mostrave të ujit dhe ushqimit, si dhe identifikimin e personave përgjegjës.

Kallëzimi është depozituar më 11 nëntor 2026 në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë.

Sipas CELS, që prej 6 nëntorit, dhjetëra fëmijë dhe të rritur kanë kërkuar ndihmë mjekësore pasi kanë shfaqur simptoma si të vjella, diarre dhe temperaturë. Organizata bën të ditur se analizat e raportuara për depozitën e ujit të kopshtit kanë treguar mungesë klori dhe tregues të ndotjes fekale. Megjithatë, shkaku i rasteve të dyshuara të helmimit nuk është sqaruar ende zyrtarisht.

CELS thekson se deklaratat e institucioneve deri tani kanë qenë të pjesshme dhe kontradiktore. Përmes kallëzimit penal, organizata i kërkon Prokurorisë regjistrimin e menjëhershëm të procedimit penal, sekuestrimin urgjent të mostrave të ujit dhe ushqimit, si dhe të dokumentacionit që lidhet me klorinimin dhe mirëmbajtjen e depozitave.

Gjithashtu, kërkohen ekspertime të pavarura mikrobiologjike, kimike, teknike dhe mjeko-ligjore, si dhe identifikimi dhe vënia para përgjegjësisë e çdo personi që mund të rezultojë përgjegjës.

“Kallëzimin e bëmë në interes publik, sepse fëmijët nuk mund t’i mbrojnë vetë të drejtat e tyre. Nuk akuzojmë asnjë person me emër. Kërkojmë një hetim të shpejtë, të pavarur dhe me prova, që të gjitha familjet të marrin përgjigje”, thuhet në reagimin e CELS.

Organizata ka njoftuar gjithashtu se do të ofrojë këshillim dhe ndihmë juridike falas për familjet e prekura, duke u bërë thirrje të ruajnë dokumentacionin mjekësor dhe faturat e shpenzimeve.

ME TE LEXUARAT

NA SHKRUAJ

Portali Lajmifundit sjell Lajme nga Shqipëria, rajoni dhe bota në kohë rekord. Ju lutemi na kontaktoni nëse doni të kontribuoni me informacione të vlefshme për publikim në portalin tonë.

Kliko për më shumë informacion