Detajet e ekzekutimit, 300 gramë tritol i marrin jetën "Çilo Hundëderrit", ruhej me roje prej më shumë se një viti

Beqir Devolli nuk mundi t’i mbijetonte plagëve pas atentatit me tritol të mbrëmjes së 10 tetorit 2026 në Gjirokastër. Makina “Benz” që ai drejtonte shpërtheu në ecje, ndërsa 45-vjeçari humbi jetën në autoambulancë rrugës duke u dërguar për në Spitalin e Traumës në Tiranë.
Mësohet se ai njihej në “Qytetin e Gurtë” me nofkën “Çilo Hundëderri” dhe burime jo zyrtare nga policia bëjnë me dije se vetë Devolli ka qenë shënjestër e këtij atentati, për shkak të të shkuarës së errët që 45-vjeçari ka pasur në Greqi. Nuk përjashtohet që atentati të ketë ndodhur për shkak të prishjes së pazareve të drogës, por edhe ngjarjeve të javëve të fundit në vend.
Pista më serioze e hetimit lidhet me hakmarrjen, kjo pas atentatit të tre javëve më parë në Sarandë ndaj Artan Myrtajt, i njohur si “Tani i Ruzhdiut”, i cili u vra në rrugë në mes të ditës.
Besohet se Beqir Devollin, dy atentatorët e dyshuar e ndoqën që nga Viroi dhe pritën momentin që rruga të zbrazej për të bërë shpërthimin e telekomanduar me cellular, shumë pranë drejtorisë së policisë.
Mësohet se policia e Gjirokastrës ka pyetur 23 perona që mund të kenë dijeni për ngjarjen. Në dëshminë e familjarëve thuhet se Beqir Devolli kishte një vit që ruhej dhe se shmangte me sa të mundej Tiranën, duke u kthyer të jetonte në Gjirokastër.
Besohet se sasia e tritolit që iu vendos poshtë sediljes ishte rreth 300 gramë.
Pasagjeri që për fat i shpëtoi atentatit, Erigels Mela (26 vjeç) besohet se hipi në makinën e Devollit vetëm 700 metra përpara shpërthimit. Ky i fundit ruhej nga kërcënimet, pasi një vit më parë iu dogj mjeti Range Rover që kishte në pronësi, në shenjë paralajmërimi.


