Moska, akte sabotazhi në Europë/ Studimi: Godet infrastrukturën kritike, dobëson mbështetjen për Ukrainën

Bota

Moska, akte sabotazhi në Europë/ Studimi: Godet infrastrukturën

Rusia po intensifikon operacionet e sabotimit në Evropë, duke shënjestruar infrastrukturën kritike, nga linjat hekurudhore dhe aeroportet deri te rrjetet energjetike. Një studim i publikuar të enjten nga Instituti Ndërkombëtar për Studime Strategjike (IISS) paralajmëron se këto operacione po bëhen gjithnjë e më komplekse dhe se ekziston rreziku i një sulmi me viktima masive, që mund të shkaktojë edhe përçarje mes qeverive evropiane.

Sipas raportit, gjatë vitit të fundit përdorimi i eksplozivëve dhe zjarrvënieve është dyfishuar. Moska, ndonëse nuk është në luftë të drejtpërdrejtë me asnjë vend evropian përveç Ukrainës, po zhvillon një konflikt të tërthortë përmes personave të rekrutuar, me synimin për të dobësuar mbështetjen e kontinentit për Kievin.

Raporti vlerëson se Gjermania dhe Polonia janë vendet më të ekspozuara ndaj këtyre operacioneve.

IISS thekson se shërbimet ruse të inteligjencës kanë arritur të krijojnë rrjete personash të rekrutuar, të cilët po përdorin metoda gjithnjë e më të sofistikuara, përfshirë pajisje shpërthyese artizanale me mekanizma kohorë dhe detonatorë.

Por raporti vlerëson se arrestimet e personave të dyshuar, dëbimi i oficerëve rusë të inteligjencës dhe mbyllja e disa konsullatave nuk kanë arritur ta frenojnë këtë aktivitet sabotazhi rus. Arrestimet u shkaktojnë kosto personave të rekrutuar, por jo shërbimeve të inteligjencës që i drejtojnë dhe i mundësojnë këto operacione.

Studimi evidenton gjithashtu se sabotimet shfaqen në valë të njëpasnjëshme në vende të ndryshme të Evropës, çka sugjeron koordinim nga Moska. Për më tepër, ekzistojnë të dhëna për rrjete që bashkërendojnë sulme në disa shtete, si dhe për mundësinë e funksionimit të strukturave të ndryshme, duke e bërë më të vështirë ndërprerjen e tyre.

Episode të tilla dhune u regjistruan edhe në Shqipëri. Protestat e tetorit në Tiranë u shoqëruan me zjarrvënie, hedhje molotovësh ndaj policisë dhe sulme ndaj institucioneve publike.

Aktet e dhunës ndodhën në një kohë kur disa vende evropiane po përballeshin gjithashtu me protesta, djegie dhe shkatërrim. Kjo përkon me periudhën e rritjes së shqetësimeve për ndërhyrjet e huaja dhe operacionet e ndikimit.

Sipas ekspertëve, kërcënimi më i menjëhershëm për Evropën nuk është një luftë bërthamore, por ajo që cilësohet si “luftë jokonvencionale”.

Një sulm me viktima të shumta, paralajmëron raporti, mund të shkaktojë kërkesa për hakmarrje ndaj Rusisë dhe të thellojë ndasitë mes vendeve evropiane, duke e kthyer sabotimin në një kërcënim jo vetëm për sigurinë fizike, por edhe për unitetin politik të kontinentit.

ME TE LEXUARAT

NA SHKRUAJ

Portali Lajmifundit sjell Lajme nga Shqipëria, rajoni dhe bota në kohë rekord. Ju lutemi na kontaktoni nëse doni të kontribuoni me informacione të vlefshme për publikim në portalin tonë.

Kliko për më shumë informacion