Manja akuza Shehajt: Ke blerë e këmbyer kriptovaluta? Shigjeton Kaprin: Di veç t’i mbash çantën Agronit e ...

Ulsi Manja e pyeti në Kuvend kreun e Partisë Mundësia, Agron Shehaj, nëse kishte blerë dhe këmbyer kriptovaluta në kuadër të aktivitetit të tij. Ai i kërkoi gjithashtu që në protestën e 28 nëntorit t’u shpjegonte qytetarëve se si e kishte blerë një vilë për 2 milionë euro dhe e kishte rishitur për 15 milionë euro brenda tre muajsh.
Bëhet fjalë për vilën në Forte dei Marmi, në Itali, për të cilën Shehaj është kallëzuar në SPAK për pastrim parash. Në deklaratën e pasurisë të vitit 2021, vila figuronte me vlerën 2,9 milionë euro, ndërsa në vitin 2025 Shehaj deklaroi se e kishte shitur për 15 milionë euro.
Ulsi Manja-Agron Shehajt: Nuk dola këtu për Agron Shehajn, por dola në respekt të protestuesve, sepse kanë shansin që me datë 28 nëntor ta pyesin Agron Shehajn si është historia që e bleu vilën 2 milionë euro, e shiti 15 për 3 muaj, dhe fitoi 13 milionë euro. Më 28, jam shumë kurioz ta di a do u tregosh atyre protestuesve që i ke thirrur aty, ata punonjësit e tu të call centerave këtë truk ekonomik?
Kam një pyetje tjetër, a ke blerë dhe këmbyer kriptovaluta ti në aktivitetin tënd se ne dijeninë time me sa më thonë ti nuk ke konkurrent në këtë fushë. Mos vallë në ato e-mailet e ambasadës amerikane dhe atje ku ishin provat digjitale ka mbetur ndonjë cep i historisë tënde kur erdhe për të bërë biznes në Shqipëri me paratë e s’dihet se kujt ke ardhur, se dhe kjo do jetë e fshehur atje
Këto pres unë që me datë 28 ti t’ia tregosh protestuesve. Se kur ke ardhur këtu si deputet rishtas nuk dije as shqip o Gone, shqip. Gjuhën shqipe e ke mësuar këtu duke mashtruar qytetarët shqiptarë, merr lekë e ço në Itali. Këto mos harro ti me datë 28, të tjerat shohim e bëjmë.
Në debat ndërhyri edhe deputeti i Partisë Mundësia, Erald Kapri, i cili e akuzoi Manjën se po përdorte kallëzimin për të shantazhuar deputetët dhe i përmendi përgjimet e dosjes së Dibrës. Manja iu përgjigj me ironi, duke i thënë Kaprit se e vetmja punë që di të bëjë në politikë është “t’i mbash çantën Agronit dhe t’i çosh byrekë te zyra kur është i përjashtuar nga Kuvendi”.
Erald Kapri: E pabesueshme çfarë po ndodh në këtë Kuvend, se si përfaqësuesit e kësaj mazhorance janë gati të shpallin autokraci të hapur. Vjen Manja dhe thotë: ‘Pavarësisht se çfarë vendos gjykata, ne jemi parlament dhe bëjmë çfarë të duam.’ Kur ta thotë këtë Manja, që është kapur në përgjime duke folur me mafiozë në dosjen e Dibrës, hajde ndaje këtë gjë. Në fakt, paria e Dibrës ka pasur një shprehje, Ulsi: ‘Në të mallkoftë njeri, kurrë mos përfundofsh një Ulsi.’
Si mund të dalë kreu i Komisionit të Ligjeve dhe të shantazhojë një deputet?
Merresh ti me kripto? Tentoni të na shantazhoni me padi, një padi që e keni paguar sa një kullë. Nuk do t’ia dilni dot. S’keni për t’ia dalë dot. Duhet të shqetësohesh se po bëhen hetime.
Ti mendon se do t’ia hedhësh me ato përgjimet?
‘Mo nalt.’ ‘Më çoni në Bulqizë të kontrolloj kromin’, dhe Ulsiu thotë: ‘Kaq është pak, mo nalt, me burrë.’ Jo vetëm që je mediokër, por je edhe i kapur. Është turp i shqiptarëve që ke qenë ministër. Jo vetëm që je i kapur, por edhe banal. Një ish-ministër i Drejtësisë thotë këtu: ‘Nuk na duhet vendimi i Gjykatës Kushtetuese.’ Me shantazhe nuk ia dilni dot.
Manja - Kaprit : Të të marrësh ty seriozisht që të vetmen punë në politikë që di të bësh është t’i mbash çantën Agronit dhe t’i çosh byrekë te zyra kur është i përjashtuar nga Kuvendi, është sikur të kesh dy fundshpine që ta mbash e një ta çash, ik or djalë shiko punët e tua se më 28 nëntor nuk do të të marrin seriozisht as ata që ke në shtëpi, jo më qytetaria e Tiranës, ty dhe Shehajt nuk iu merr njeri seriozisht, këtë e di mirë unë


