"Deri më 12 janar... "Nuk do të ketë shtrenjtim produktesh, Rama prezanton masat për ngrirjen e çmimeve

Aktualitet

"Deri më 12 janar... "Nuk do të ketë shtrenjtim
Kryeministri Edi Rama ka prezantuar platformën “Pasqyra e Çmimeve” dhe nismën “KURSE”, që synojnë t’u ofrojnë qytetarëve më shumë mundësi për të përballuar rritjen e kostove.

Sipas Ramës, nisma është rezultat i bashkëpunimit me pesë subjekte të rëndësishme të tregtisë ushqimore në Shqipëri.

Gjatë prezantimit, kreu i qeverisë bëri të ditur se aktualisht në platformë janë përfshirë 200 artikuj, ndërsa synimi është që numri i tyre të arrijë në 1 mijë deri në fund të vitit. Marrëveshja parashikon që një sërë produktesh të kenë çmime të pandryshuara deri më 12 janar të vitit të ardhshëm.

“Në kushtet e rritjes së kostove në tërësi, që janë një karakteristikë e të gjitha vendeve, duhet bërë një hap përtej asaj vije tradicionale ndarëse mes atij që shet dhe atij që blen, dhe duhet gjetur një rrugë për të ofruar një mundësi më shumë për njerëzit që kanë më shumë vështirësi”, u shpreh Rama.

Kryeministri theksoi gjithashtu se ligji parashikon gjoba në rastet kur çmimet rezultojnë spekulative, por shtoi se qeveria synon që nisma të mbështetet te mirëkuptimi dhe përfshirja e subjekteve tregtare.

“Synimi është që deri në fund të vitit ato të jenë 1000”, deklaroi Rama, duke iu referuar numrit të artikujve që do të përfshihen në platformën “Pasqyra e Çmimeve”.

 

ME TE LEXUARAT