Kriza e transportit në Tiranë, vetëm 11% e rrugëve kryesore kanë korsi të dedikuara për autobusët

Aktualitet

Kriza e transportit në Tiranë, vetëm 11% e rrugëve kryesore
Modernizimi i transportit publik në Tiranë vijon të mbetet pas afateve të planifikuara. Sistemi i biletimit elektronik, që duhej të përfundonte në vitin 2022, ende nuk kishte nisur të zbatohej deri në auditimin e Kontrollit të Lartë të Shtetit, ndërsa vetëm 11% e gjatësisë së rrugëve kryesore urbane kanë korsi të dedikuara për autobusët.

Sipas raportit të KLSH-së për qarkullimin rrugor në Bashkinë e Tiranës, mungesa e biletimit elektronik ka penguar modernizimin e pagesave dhe administrimin më efikas të transportit urban. Njëkohësisht, numri i aboneve të shpërndara ka mbetur i pandryshuar prej vitesh, pa u përshtatur me rritjen e popullsisë dhe kërkesën reale të qytetarëve. Kjo mangësi ka sjellë vështirësi në sigurimin e aboneve për përdoruesit e rregullt.

Problematike mbetet edhe infrastruktura rrugore. Korsitë e dedikuara për autobusët mbulojnë vetëm 11% të gjatësisë së rrugëve kryesore, duke i detyruar urbanët të lëvizin në trafikun e përgjithshëm. KLSH vlerëson se kjo situatë ndikon në vonesat e transportit publik dhe ul besueshmërinë e shërbimit.

Ndërkohë, vonesa janë konstatuar edhe në projektin e transportit të shpejtë me autobusë elektrikë, BRT, me kosto të vlerësuar rreth 110 milionë euro, i parashikuar për tri korridore kryesore të kryeqytetit.

Sipas auditimit, moszbatimi i aktiviteteve brenda afateve ka sjellë kosto financiare për Bashkinë, e cila ka paguar 47,569.44 euro në vitin 2025 dhe 62,500 euro në vitin 2026, si tarifë zotimi për pjesën e padisbursuar të huasë.
Kriza e transportit në Tiranë, vetëm 11% e rrugëve kryesore

Në total, këto pagesa arrijnë në 110,069.44 euro. Tarifa vjetore është 0.25% e shumës së padisbursuar dhe, sipas KLSH-së, kostot mund të ishin shmangur nëse projekti do të kishte ecur sipas afateve të përcaktuara.

Bashkia i ka argumentuar vonesat me mungesën e kapaciteteve dhe ekspertizës, por KLSH kërkon përshpejtimin e investimeve, zbatimin e biletimit elektronik dhe zgjerimin e korsive të dedikuara, si masa të nevojshme për përmirësimin e shpejtësisë dhe cilësisë së transportit publik në kryeqytet./ Nga "Ekofin.al".
Kriza e transportit në Tiranë, vetëm 11% e rrugëve kryesore

ME TE LEXUARAT

NA SHKRUAJ

Portali Lajmifundit sjell Lajme nga Shqipëria, rajoni dhe bota në kohë rekord. Ju lutemi na kontaktoni nëse doni të kontribuoni me informacione të vlefshme për publikim në portalin tonë.

Kliko për më shumë informacion