Çfarë po ndodh me Veliajn? Komiteti Shqiptar i Helsinkit ngre pikëpyetje për transferimin e tij

Aktualitet

Çfarë po ndodh me Veliajn? Komiteti Shqiptar i Helsinkit ngre
Komiteti Shqiptar i Helsinkit ka evidentuar disa problematika pas monitorimit të kushteve të paraburgimit të Erion Veliajt në IEVP Fier. KShH kërkon transparencë për arsyet e transferimit, rikthimin e komunikimeve telefonike dhe garantimin e kujdesit shëndetësor.

Komiteti Shqiptar i Helsinkit ka ngritur shqetësime për mënyrën e transferimit të Erion Veliajt nga paraburgimi i Durrësit në atë të Fierit, si dhe për respektimin e të drejtave të tij gjatë qëndrimit në institucionin e ri.

Në një deklaratë publike të ditës së sotme, KShH bën të ditur se më 30 tetor ka zhvilluar një mision monitorimi në IEVP Fier, ku përfaqësuesit e tij kanë takuar Veliajn në mënyrë konfidenciale, kanë inspektuar ambientet ku ai qëndron dhe janë takuar me drejtuesit e institucionit.

 
Sipas Komitetit, nga monitorimi janë evidentuar problematika që lidhen me procedurën e transferimit, kufizimin e komunikimeve me familjarët, dokumentacionin shëndetësor dhe kushtet e sigurisë.

Një nga shqetësimet kryesore lidhet me urdhrin e transferimit, të cilin monitoruesi i KShH-së arriti ta këqyrte për një kohë të kufizuar. Në dokument, motivi i lëvizjes së Veliajt ishte përcaktuar në mënyrë të përgjithshme si “për arsye sigurie”, ndërsa urdhri mbante klasifikimin “i kufizuar”, me afat deri në dy vjet.

KShH vlerëson se, megjithëse transferimi për arsye sigurie parashikohet nga ligji, vendimi duhet të mbështetet në rrethana konkrete dhe të dokumentuara. Sipas tij, klasifikimi i dokumentit nuk duhet të pengojë të paraburgosurin të njihet me arsyet thelbësore të vendimit dhe ta kundërshtojë atë në gjykatë.

Një tjetër problematikë e konstatuar lidhet me komunikimet telefonike. Sipas deklaratës, dy ditë pas transferimit, Veliaj nuk kishte mundur të kontaktonte familjarët, pasi aktivizimi i numrave të telefonit kërkonte procedura të reja administrative dhe miratimin e një liste të re.

Komiteti thekson se vonesat teknike dhe administrative nuk duhet të sjellin kufizimin faktik të të drejtave që garantohen nga ligji.

Gjatë monitorimit u ngritën gjithashtu shqetësime për vazhdimësinë e kujdesit shëndetësor. Sipas KShH-së, në institucionin e Fierit kishte mbërritur vetëm dokumentacioni juridik i Veliajt, ndërsa ai mjekësor dhe psikosocial ende nuk ishte administruar.

 

Veliaj kishte deklaruar se kishte një frakturë në këmbën e majtë dhe se nuk kishte kryer kontrollin radiologjik të rekomanduar. Drejtuesit e burgut, sipas deklaratës, kishin konfirmuar se ishin në dijeni të problematikës dhe se synonin të mundësonin ekzaminimin gjatë javës pasardhëse.

KShH ka ngritur pikëpyetje edhe për kushtet e vendosjes dhe sigurinë personale të Veliajt. Gjatë inspektimit u konstatua se qelia ku ai ishte vendosur fillimisht kishte dritare jofunksionale. Ndërkohë, vetë Veliaj kishte shprehur shqetësime për praninë në të njëjtën hapësirë të një personi të dënuar për krime të rënda. Drejtuesit e institucionit deklaruan se ishin marrë masa për të shmangur kontaktet dhe se nuk ishte evidentuar ndonjë rrezik konkret për jetën e tij.

Në deklaratë trajtohet edhe çështja e komunikimit institucional, pasi Veliaj ka kërkuar të kontaktojë përfaqësues të institucioneve shtetërore dhe administratës bashkiake për çështje që lidhen me funksionin e tij si kryetar i Bashkisë së Tiranës. Sipas KShH-së, paraburgimi nuk nënkupton automatikisht humbjen e çdo mundësie për ushtrimin e kompetencave që nuk janë kufizuar me ligj.

Në përfundim, Komiteti Shqiptar i Helsinkit i ka kërkuar Ministrisë së Drejtësisë dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve të sqarojnë bazën ligjore të transferimit dhe klasifikimit të urdhrit, të garantojnë komunikimet telefonike, të sigurojnë kujdesin e nevojshëm shëndetësor dhe të rivlerësojnë kushtet e sigurisë.

KShH thekson se gjetjet e monitorimit nuk përbëjnë një vlerësim mbi fajësinë apo pafajësinë e Erion Veliajt, por lidhen vetëm me respektimin e të drejtave dhe garancive ligjore të një personi të privuar nga liria.

“Privimi nga liria nuk nënkupton privimin nga të drejtat”, thekson Komiteti, duke bërë të ditur se do të vijojë të ndjekë këtë rast dhe zbatimin e rekomandimeve të tij.

ME TE LEXUARAT

NA SHKRUAJ

Portali Lajmifundit sjell Lajme nga Shqipëria, rajoni dhe bota në kohë rekord. Ju lutemi na kontaktoni nëse doni të kontribuoni me informacione të vlefshme për publikim në portalin tonë.

Kliko për më shumë informacion