Protestat e Gen Z “shkundin” Europën, molotovë dhe përplasje me policinë nga Franca në Shqipëri

Bota

Protestat e Gen Z “shkundin” Europën, molotovë dhe

Protestat e të rinjve në disa vende të Europës, të zhvilluara për përmirësimin e arsimit dhe kushteve të jetesës, u shoqëruan me përplasje me policinë, grabitje dhe dëme materiale.

Mbi 770 persona u arrestuan në Francë, ndërsa në Gjermani më shumë se 100 efektivë policie mbetën të plagosur gjatë trazirave në Frankfurt. Demonstratat përfshinë Francën, Gjermaninë, Zvicrën, Portugalinë dhe Shqipërinë.

Në Francë, rreth 320 mijë persona morën pjesë në protestat e së shtunës, të cilat u zhvilluan në Paris, Marsejë, Grenoble, Bordo, Lion dhe Tuluzë.

Prokuroria në Paris ka hapur një hetim për tentativë vrasjeje ndaj personave që ushtrojnë autoritet publik, pasi mjete ndezëse u hodhën në drejtim të një grupi prej rreth 15 xhandarësh dhe efektivësh policie.

Ndërkohë, në Gjermani, persona të maskuar dëmtuan 17 dyqane në Frankfurt dhe plaçkitën pesë prej tyre. Sipas ministrit të Brendshëm të landit të Hessenit, Roman Poseck, ata hodhën edhe sende të forta, përfshirë bomba molotov.

Mbi 100 mijë persona marshuan të shtunën në më shumë se 30 qytete gjermane, në kuadër të fushatës “Gen Z regelt” (Gjenerata Z do t’i zgjidhë vetë gjërat), duke kërkuar përmirësimin e sistemit arsimor dhe uljen e kostos së jetesës.

Në Portugali, policia ndërhyri për të shpërndarë kampet e protestuesve, ndërsa në Zvicër forcat e sigurisë u sulmuan me gurë.

Situata në Francë ishte më e qetë krahasuar me 17 tetorin, kur u arrestuan 2 600 persona dhe u plaçkitën deri në 3 000 dyqane, në një nga netët më të rënda të trazirave urbane në historinë e afërt të vendit.

Në Shqiperi, protestuesit kërkonin dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, për shkak të akuzave për korrupsion. Në përfundim të tubimit, të rinjtë hodhën gurë dhe bomba molotov ndaj policisë, si dhe dogjën kosha mbeturinash.

Sipas Ministrisë së Brendshme, gjatë protestave janë plagosur 350 persona, mes tyre 200 efektivë policie, ndërsa janë arrestuar 269 të mitur.

Në Portugali, policia largoi me forcë protestuesit nga sheshi Rossio në Lisbonë, pas një marshimi kundër krizës së strehimit.

Demonstruesit kërkojnë tërheqjen e një projektligji që lehtëson dëbimet e qiramarrësve dhe heq kufizimet e qirave për kontratat e reja. Edhe një kamp protestuesish në Porto u shpërbë nga policia.

Ndërkohë, në Zvicër, protestat e paautorizuara në Cyrih dhe Bazel përfunduan me përplasje. Policia përdori gaz lotsjellës, topa uji dhe plumba gome për të shpërndarë protestuesit, të cilët hodhën gurë, shishe dhe fishekzjarrë ndaj efektivëve. U dëmtuan dyqane, automjete dhe biçikleta, ndërsa incidente u raportuan edhe në Gjenevë./tch

ME TE LEXUARAT

NA SHKRUAJ

Portali Lajmifundit sjell Lajme nga Shqipëria, rajoni dhe bota në kohë rekord. Ju lutemi na kontaktoni nëse doni të kontribuoni me informacione të vlefshme për publikim në portalin tonë.

Kliko për më shumë informacion