Ngrihet alarmi në Jemen, mbi 300 mijë persona të zhvendosur nga luftimet

Bota

Ngrihet alarmi në Jemen, mbi 300 mijë persona të zhvendosur nga
Më shumë se 300 mijë persona janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre në Jemen për shkak të përshkallëzimit të luftimeve në pjesën perëndimore të vendit. Sipas Organizatës Ndërkombëtare për Migracionin (IOM), pjesa më e madhe e zhvendosjeve është regjistruar gjatë dy muajve të fundit, ndërsa situata humanitare po përkeqësohet me shpejtësi.

Në një deklaratë, IOM u ka bërë thirrje të gjitha palëve të përfshira në konflikt që të mbrojnë civilët dhe punonjësit humanitarë, si dhe të garantojnë kalimin e sigurt të ndihmave, veçanërisht në zonat e Taizit, ku furnizimet po përballen me vështirësi të mëdha.

Kreu i misionit të IOM-it në Jemen, Abdusator Essouef, paralajmëroi se familjet po detyrohen të braktisin banesat e tyre pas vitesh të tëra konflikti, shpesh duke marrë me vete vetëm rrobat që kanë veshur. Ai theksoi se mijëra njerëz kanë nevojë urgjente për strehim, ushqim, ujë të pijshëm dhe kujdes shëndetësor, ndërsa mungesa e fondeve rrezikon t’i lërë pa ndihmë.
 
Jemeni u përfshi sërish në luftime në korrik, pas katër vitesh qetësie relative, ndërsa konflikti u ndërthur me tensionet më të gjera në Lindjen e Mesme. Armiqësitë u intensifikuan në shtator, pas një ofensive të rebelëve Huthi, të mbështetur nga Irani, në perëndim të vendit. Kjo ofensivë u dha atyre mundësinë të forconin ndikimin në ngushticën strategjike të Bab el-Mandebit, një korridor i rëndësishëm detar që lidh Evropën dhe Azinë përmes Kanalit të Suezit.

Në përgjigje, Arabia Saudite, aleate e qeverisë jemenase, ka bombarduar vazhdimisht pozicionet e rebelëve Huthi, të cilët kanë shtuar sulmet në territorin saudit.

Përveç zhvendosjes masive të popullsisë, luftimet kanë shkaktuar edhe rritje të ndjeshme të çmimeve të produkteve bazë. Në qytetin e Taizit, kostoja e nevojave të përditshme është trefishuar deri në pesëfish, pasi përplasjet kanë penguar furnizimin e zonave përreth.

Ndërkohë, IOM ka angazhuar pesë njësi mjekësore të lëvizshme në katër rajone të vendit: Marib, Lahj, Aden dhe Taiz. Organizata vlerëson se gjatë gjashtë muajve të ardhshëm do të nevojiten 45 milionë dollarë, rreth 40 milionë euro, për të përballuar krizën.

Fondet do të përdoren për strehimin, ndihmën financiare emergjente, kujdesin shëndetësor, sigurimin e ujit të pijshëm dhe kanalizimet, si dhe mbrojtjen e mijëra familjeve të zhvendosura nga luftimet.

ME TE LEXUARAT

NA SHKRUAJ

Portali Lajmifundit sjell Lajme nga Shqipëria, rajoni dhe bota në kohë rekord. Ju lutemi na kontaktoni nëse doni të kontribuoni me informacione të vlefshme për publikim në portalin tonë.

Kliko për më shumë informacion