Reagimi i Demokratëve Evropianë / Çdo akt shtypjeje largon Shqipërinë nga Europa, Rama duhet të mbajë përgjegjësi për dhunën

Partia e Demokratëve Evropianë (PDE/EDP) ka reaguar lidhur me pamjet e dhunës ndaj protestuesve në Tiranë, duke publikuar edhe videon e një qytetari, të identifikuar si Lulzim Gjini, i cili, sipas saj, është dhunuar nga efektivët e policisë gjatë protestave studentore.
Në reagimin e saj, PDE/EDP shprehet se pamjet që vijnë nga Tirana janë çdo ditë e më shqetësuese. Sipas demokratëve evropianë, Gjini është goditur me shkopinj gome nga efektivët e forcave “Shqiponja”, ndërsa po largohej nga policia dhe nuk ishte i armatosur.
“Pamjet që vijnë nga Tirana bëhen gjithnjë e më shqetësuese çdo ditë. Burri në këtë video është Lulzim Gjini. Prej muajsh, ai ka dalë në rrugë së bashku me qindra mijëra shqiptarë. I paarmatosur dhe duke u larguar nga policia, ai u rrah brutalisht me shkopinj gome”, thuhet në deklaratën e publikuar nga PDE/EDP.
Sipas reagimit, si pasojë e dhunës, protestuesi ka pësuar brinjë të thyera, fraktura në kafkë dhe hematoma.
Demokratët Evropianë ia adresojnë përgjegjësinë politike kryeministrit Edi Rama, duke kërkuar që ai të mbajë përgjegjësi për atë që e cilësojnë si dhunë çnjerëzore ndaj protestuesve paqësorë.
“Edi Rama duhet të mbajë përgjegjësi për dhunën çnjerëzore të ushtruar ndaj protestuesve paqësorë. Çdo akt shtypjeje, çdo sulm ndaj lirive themelore, e largon Shqipërinë gjithnjë e më shumë nga Evropa”, theksohet në deklaratën e PDE/EDP.


