“Bulmeti ul dëshirën seksuale”, mjekët zbulojnë faktorët që po dëmtojnë fertilitetin e meshkujve

Soft

“Bulmeti ul dëshirën seksuale”, mjekët zbulojnë

Problemet me infertilitetin tek meshkujt po bëhen gjithnjë e më shumë prezente duke u kthyer kështu një fenomen shqetësues mjekësor dhe social. Diskutimi në panelin e ftuarve këtë të martë, më 17 nëntor, në emisionin “Shije Shtëpie” ishte pikërisht mbi faktorët që ndikojnë në uljen e fertilitetit dhe dëshirës seksuale tek meshkujt.

Mjeku radiolog Valmir Bejko renditi katër faktorë që ndikojnë në shëndetin hormal dhe në shëndetin seksual të meshkujve.

“E para është rezistenca ndaj insulinës. Sigurisht që kur kemi rezistencë ndaj insulinës kemi insulinë të lartë. Një nga efektet e saj kur është e lartë, është dëmtimi i pjesës së brendshme të enëve të gjakut. Duke mos u zgjeruar kjo enë gjaku, ajo nuk do të sjellë gjak te organi mashkullor , duke çuar në pamundësi për të pasur libido të mirë.

E dyta, që është madhore është stresi. Stresi në të gjitha kuptimet e tij. Kortizoli i lartë në gjak bllokon atë rrugën nga truri deri në testikuj. Do të ketë më pak hormon që shkon te testi që i jep urdhër testit të prodhojë spermën, dhe kemi më pak prodhim testosteroni.

Pjesa e tretë është dhjami, mbipesha, sidomos dhjami te barku. Po të shohësh të gjithë meshkujt domethënë që nga mosha 35-vjeçare fillojnë dhe vënë bark. Dhjami i tepërt te meshkujt do të shndërrojë testosteronin në estrogjen. Te meshkujt me shumë dhjamë, ky testosteron po kthehet në estrogjen dhe sigurisht që do ulë po ashtu dëshirën, libidon.

Pjesa e katërt janë shumë ushqime, si bishtajoret që përmbajnë shumë estrogjen në vetvete. Edhe bulmeti po ashtu përmban shumë estrogjen. Pra nuk flas për një ngrënie normale se të gjithë hamë bulmetra, po po flas për dikë që ka një dëshirë të tepruar. Kur kemi shumë estrogjen, do kemi ulje të testosteronit dhe do kemi ulje të libidos.”

Nga ana tjetër mjeku androlog Marsid Sinani pohoi se rënia e dëshirës seksuale nuk duhet ngatëruar me infertilitetin, pasi janë probleme të ndryshme të cilat kanë si shkaktarë faktorë të përbashkët. Ai gjithashtu pohoi se libidoja ndikohet nga funksioni hormonal, neurologjik dhe gjendja psikosociale.

“Libido është një mekanizëm që varet nga funksioni i mirë hormonal, nga funksioni i mirë neurologjik dhe nga funksioni i mirë psikosocial. Në momentin që dështon njëra prej këtyre hallkave, kemi edhe rënie të dëshirës seksuale. Ajo që duhet të na shqetësojë është kur kjo rënie vazhdon për një kohë të gjatë ose shfaqet papritur, pa një shkak të dukshëm. Në këto raste duhet të kërkojmë se çfarë nuk shkon.”

Andrologu pohoi se vlerësimi mjekësor fillon kur një mashkull ka një një marrëdhënie të shëndetshme, mirëkuptim dhe tërheqje seksuale ndaj partneres së tij por mungesë të dëshirës seksuale.

“Ku do konsistojë ky vlerësim mjekësor? Padyshim në ekzaminimin e gjendjes së përgjithshme të pacientit, sepse ka sëmundje të ndryshme të cilat manifestohen me rënie të libidos. Vlerësohet ana hormonale. Vlerësohet nëse pacienti është duke marrë apo jo medikamente të ndryshme të cilat ulin dëshirën seksuale.

Ndër shkaktarët tipikë dhe si të themi mjekësorë, përmendim imbalancën hormonale. Po ashtu duhet kërkuar edhe për patologji të tjera dhe duhen vlerësuar si për shembull siç është funksioni i mëlçisë, funksioni i veshkave, diabeti dhe obeziteti.”

Ai gjithashtu renditi dhe abuzimin me alkoolin, duhanin dhe përdorimin e drogave si ndër shkaktarët e disfunksionit erektil dhe të infertilitetit.

ME TE LEXUARAT

NA SHKRUAJ

Portali Lajmifundit sjell Lajme nga Shqipëria, rajoni dhe bota në kohë rekord. Ju lutemi na kontaktoni nëse doni të kontribuoni me informacione të vlefshme për publikim në portalin tonë.

Kliko për më shumë informacion